BotaLajme

Rusia me stërvitje të reja, Ukraina po përgatit ushtrinë

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin e ka mirëpritur propozimin e liderit autoritar bjellorus, Aleksandër Lukashenko për të mbajtur një rund të ri të stërvitjeve të përbashkëta ushtarake.

Putin, i cili është takuar me homologun e tij bjellorus, Aleksandër Lukashenkon, ka thënë se stërvitjet ushtarake do të mbahen në shkurt apo mars të vitit të ardhshëm në Bjellorusi.

Ky njoftim vjen teksa trupat ruse gjenden të pozicionuara afër Ukrainës, gjë që ka rritur shqetësimet e Perëndimit. Disa zyrtarë në Ukrainë kanë ngritur shqetësime se Rusia mund të kryejnë sulme edhe nga territori bjellorus.

Rusia ka mohuar se ka pretendime për të sulmuar Ukrainën dhe akuzon Kievin, bashkë me NATO-n, për provokime.

Rusia kryen vazhdimisht stërvitje me Bjellorusinë dhe herën e fundit ato janë zhvilluar në muajin shtator me pjesëmarrje të 200 mijë trupave.

Ukraina ka përgatitur lëvizje të reja për shkak të tensioneve në rritje dhe raporteve për akumulimin e trupave ruse në zonën kufitare. Një stërvitje ka nisur prej ditësh në një pyll me pisha jo shumë larg kryeqytetit të Ukrainës.

Sipas New York Times, mijëra civilë ukrainas kanë aplikuar për të mësuar artet marciale në programet stërvitore të krijuara dhe drejtuar nga qeveria dhe grupet private paraushtarake.

Programet janë pjesë e planit strategjik të mbrojtjes së vendit në rast të një pushtimi të mundshëm rus. Edhe pse nuk ka indikacione deri më tani se presidenti rus Vladimir Putin ka vendosur nëse do të nisë një sulm, ukrainasit nuk i lënë asgjë rastësisë.

Mbrojtja civile nuk është e panjohur në Ukrainë – brigadat vullnetare ishin shtylla kurrizore e forcave të vendit në lindje në vitin 2014, kur ushtria ukrainase ishte në rrëmujë.

Kjo përpjekje tashmë po zyrtarizohet në njësi të Forcave të Mbrojtjes Territoriale të sapoformuara që janë pjesë e ushtrisë. Vitin e kaluar, ushtria ukrainase filloi trajnimin e fundjavës për vullnetarët civilë në këto njësi.

Related Articles

Back to top button
Close
Close