
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka arritur në Suedi për një takim me ministrat e Jashtëm të NATO-s, teksa aleatët evropianë kërkojnë siguri lidhur me zvogëlimin e pranisë së trupave amerikane dhe ndryshimin e retorikës së Uashingtonit sa i përket aleancës.
Rubio do të marrë pjesë në takimin në Helsingborg më 22 maj, që është një nga mbledhjet e fundit ministrore në nivel të lartë para se udhëheqësit e aleancës të mblidhen për samitin në Ankara në korrik.
Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, kryediplomati amerikan pritet t’u bëjë thirrje aleatëve për rritje të shpenzimeve për mbrojtjen dhe për “ndarje më të madhe të barrës”, ndërsa fokusi do të jetë gjithashtu te siguria në Arktik.
Por, takimi zhvillohet në një moment kur ka shqetësim të madh. Zyrtarët evropianë po kërkojnë qartësi lidhur me shkallën e zvogëlimit të pranisë ushtarake amerikane në kontinent, pas një sërë lëvizjesh të Pentagonit që kanë tronditur aleancën.
“Terr informativ”
Pasiguria buron nga njoftimet e fundit që kanë rritur frikën në mbarë Evropën se Uashingtoni mund të jetë duke dobësuar garancitë e tij të sigurisë në një moment të rrezikshëm.
Më herët gjatë këtij muaji, presidenti amerikan, Donald Trump, bëri të ditur planet për tërheqjen e 5.000 trupave nga Gjermania. Pentagoni më pas konfirmoi se po anulonte një dislokim të planifikuar të rreth 4.000 trupave në Poloni dhe po pezullonte planet për dislokimin në Gjermani të një batalioni me raketa lundruese Tomahawk, që lëshohen nga toka.
Megjithatë, më 21 maj, Trump njoftoi përmes rrjeteve sociale se SHBA-ja do të dërgojë 5.000 trupa shtesë në Poloni “bazuar në zgjedhjen e suksesshme të tashmë presidentit të Polonisë, Karol Nawrocki”. Trump nuk ofroi detaje të tjera dhe nuk ishte menjëherë e qartë nëse trupat janë pjesë e dislokimeve rotacionale që Pentagoni më herët i anuloi.
Një diplomat i lartë evropian, duke folur për Radion Evropa e Lirë në kushte anonimiteti, paralajmëroi se aftësia kyç parandaluese e aleancës po minohet nga mungesa e komunikimit.
“Gjëja më e keqe është fakti se kontinenti duket se po mbahet në terr informativ lidhur me përmasat e kësaj tërheqjeje”, tha diplomati, duke theksuar se shtetet që gjenden në vijë e parë, sikurse vendet e Baltikut, po kanë vështirësi që të bëjnë planifikimet e duhura.
Ky diplomat shtoi se planet e raportuara të SHBA-së për zvogëlimin e kontributeve në modelin e forcave të NATO-s – sipas të cilit, anëtarët paraprakisht angazhojnë forca për kriza madhore – do të “dëmtonte shumë” vijat fillestare të mbrojtjes të Evropës.
“Efektiviteti i NATO-s mbështetej në idenë se ajo ishte e pathyeshme”, tha diplomati. “Tani, në një ‘divorc’, ju filloni të shihni shfaqjen e çarjeve”.
Zyrtarët e administratës amerikane kanë këmbëngulur se këto lëvizje janë një përshtatje e përkohshme dhe jo një tërheqje strategjike. Nënpresidenti amerikan, JD Vance, deklaroi së voni se fokusi i administratës mbetet te “pavarësia dhe sovraniteti evropian”, ndërsa zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, e përshkroi vendimin për Poloninë si një “vonesë standarde në rotacion”.



