LajmeMaqedoniTopLajm

Rritja e moshës për pensionim, reformë e dhimbshme

Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor konsideron se janë të pranueshme rekomandimet e Fondit Monetar dhe Bankës Botërore se në Maqedoninë e Veriut duhet rritur mosha e pensionimit.

Megjithatë, nga ky institucion thonë se kjo shtyllë është e qëndrueshme dhe se në vazhdimësi realizohen pagesat për mbledhjen mjeteve për pension.

“Fondi Pensional dhe Invalidor është i qëndrueshëm, kryen pagesa të rregullta të të hyrave pensionale. Megjithatë, reformat në sistemin pensional do të kontribuonin në përmirësimin e standardit të jetesës së përfituesve aktualë dhe të ardhshëm të pensioneve”, janë përgjigjur shkurt nga Fondi i Sigurimit Pensional dhe Invalidor i Maqedonisë së Veriut.

Çka thotë ligji?
Në bazë të Ligjit për marrëdhënie pune në Maqedoninë e Veriut, gratë mund të dalin në pension në moshën 62-vjeçare dhe me vetëdashje të vazhdojnë edhe dy vjet të punojnë, ndërkohë që të drejtën e pensionimit burrat e fitojnë në moshën 64-vjeçare.

Elena Ivkovska, 55-vjeçare, e cila punon në një sallon si floktare, thotë për Radion Evropa e Lirë se i duhen edhe shtatë vjet për të fituar të drejtën e pensionit, porse që tani puna është bërë e papërballueshme dhe mezi pret të pensionohet.

“Unë ndihem e rraskapitur nga qëndrimi në këmbë tërë orarin e punës. Për mua, madje, edhe plotësimi i kushtit për të arritur moshën 62-vjeçare për pensionim, mbetet shumë i lartë. Megjithëse jam e vetëdijshme se nëse rritet me këtë dinamikë numri i pensionistëve, sistemi ynë pensional do të bëhet i paqëndrueshëm”, shprehet Ivkovska.

Por, Mefail S. që punon si instruktor, thotë se edhe katër vjet del në pension, porse shton se do të kishte dashur të punonte edhe pas moshës 64-vjeçare.

“Nëse më premton shëndeti, gjithsesi do të punoj, pse jo. Megjithëse puna ime nuk është e vështirë fizikisht, por është stresuese, e theksoj se do të punoja vetëm nëse paga rritet aq sa të jetë shumë më e lartë se pensioni, që ta kem motivim. Ndryshe, do të pensionohem”, thotë ai.

Sindikata: Harmonizimi i pragut të pensionimit, i pabazë
Për sindikalistët, propozimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore(BB) për harmonizim të pragut të pensionimit me vendet BE-së, është i pabazë për faktin se nuk mund të krahasohet cilësia e jetës që kanë qytetarët e Maqedonisë së Veriut me atë të qytetarëve të Bashkimit Evropian.

Sllobodan Trëndafillovski nga Sindikata e Punëtorëve rikujton se organizata që përfaqëson, që në vitin 2020 ka propozuar më shumë shtylla për përfitimin e së drejtës për pensionim, si: pensionimi në bazë të përvojës së punës pavarësisht moshës, mundësisë për të blerë pesë vitet e fundit nëse dilet në pension para kohe, si dhe aplikimi i stazhit të benificuar për kategori të ndryshme.

“Fuqia punëtore në Maqedoninë e Veriut duhet ripërtërirë. Duhet krijuar kushte për vende të reja pune, për t’i mbajtur të rinjtë në vend. Nuk duhet t’i nisim jashtë vendit që me potencialin e tyre të ndërtojnë bizneset e huaja. Kjo do të arrihet nëse ulet pragu i moshës për pension dhe jo ai të rritet”, thotë Trëndafillovski.

Related Articles

Back to top button
Close
Close