
Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit sot në Selanik, në kuadër të Samitit ministror të vendeve të Ballkanit Perëndimor, realizoi takim bilateral me ministren e Ndërtimtarisë, Transportit dhe Infrastrukturës së Republikës së Serbisë, Aleksandra Sofronijeviq.
Në takim u diskutua për avancimin e bashkëpunimit rajonal, me theks të veçantë në realizimin e projekteve të përbashkëta infrastrukturore që do të kontribuojnë në rritjen e përshpejtuar ekonomike, lidhje më të mirë dhe konkurrueshmëri të shtuar të rajonit.
Vëmendje e veçantë iu kushtua ndërtimit të hekurudhës së shpejtë në Korridorin 10, duke u theksuar se bëhet fjalë për një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore për zhvillimin e rajonit.
Zëvendëskryeministri theksoi se Maqedonia e Veriut po punon intensivisht për realizimin e këtij projekti, i cili do të mundësojë transport hekurudhor më të shpejtë, më të sigurt dhe më efikas. Në takim u diskutua edhe për projektin e ndërtimit të stacionit të përbashkët hekurudhor kufitar Tabanovcë, i cili do të mundësojë transport më të shpejtë dhe më efikas të mallrave dhe pasagjerëve. Nikoloski informoi se është zgjedhur kontraktori dhe se ndërtimi i stacionit do të fillojë së shpejti.
Bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime edhe për avancimin e bashkëpunimit tregtar dhe ekonomik mes dy vendeve, si dhe për përmirësimin e mëtejshëm të efikasitetit të korridoreve të transportit. Në këtë drejtim u diskutua për vendosjen dhe zgjerimin e sistemit të korridoreve të gjelbërta në pikat kufitare, me qëllim përshpejtimin e qarkullimit të mallrave dhe uljen e kohës së pritjes.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe lidhja energjetike mes dy shteteve. Zëvendëskryeministri theksoi se është në zhvillim procedura e tenderit për ndërtimin e interkonektorit të gazit mes Maqedonisë dhe Serbisë, projekt që do të kontribuojë për siguri më të madhe energjetike, diversifikim të burimeve të furnizimit dhe çmime më konkurruese të gazit natyror.
Në frymën e marrëdhënieve tradicionalisht të mira dhe miqësore, të dy bashkëbiseduesit konfirmuan angazhimin e përbashkët për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe realizimin e projekteve të përbashkëta që do të kontribuojnë për zhvillimin ekonomik, lidhjen rajonale dhe cilësi më të mirë të jetës për qytetarët e të dy vendeve.



