Presioni i çmimeve në Maqedoninë e Veriut i ka “shkrirë” pritjet për inflacion prej 2,2% këtë vit ekonomik – sipas vlerësimeve të reja të buxhetit, inflacioni do të jetë pak më pak se 3%. Strategjia e re Fiskale 2026-2030, e cila ishte një pararendëse e rebalancit të buxhetit, tregon për një deficit tregtar më të madh se sa që parashikohet aktualisht, shkruan analiza ekonomike javore e Portalb.mk.
Rritje e çmimeve
Ndryshe nga pozicionet aktuale të buxhetit, sipas vlerësimeve të reja të buxhetit, inflacioni megjithatë do të përshpejtohet. Sipas parashikimeve fillestare, ky vit duhej të mbyllej me një përqindje inflacioni prej 2,2%, ndërsa sipas parashikimeve të reja, do të mbyllet me një inflacion prej 2,8%. Ministria e Financave në vlerësimet e saj të reja fiskale konfirmon se që nga fillimi i këtij viti ka pasur një rritje të çmimeve, kryesisht te produktet ushqimore.
“Në tremujorin e parë të vitit 2025, përqindja mesatare e inflacionit ishte 4,2% dhe në periudhën e analizuar, çmimet e ushqimeve u rritën për 4,1%, ndërsa çmimet e derivateve të naftës u ulën për 2,7%. “Inflacioni bazë në periudhën janar – mars 2025 është 5,5% dhe për dy muajt e fundit me radhë ka regjistruar një ngadalësim të rritjes, megjithëse ende është në një nivel të lartë” – thuhet në Strategjinë Fiskale 2026 – 2030.
Rritje e PBB-së
Edhe pse me rishikimin veror të buxhetit të vitit 2025, ai u rrit për 1% si në anën e të ardhurave ashtu edhe në atë të shpenzimeve, përqindja e rritjes ekonomike mbetet e pandryshuar prej 3,7%. Pavarësisht faktit se jemi në një vit zgjedhor në të cilin pritet një efekt më i ndjeshëm nga kredia hungareze përmes nisjes së projekteve në nivel lokal dhe investimeve private, si dhe aktivizimit të projekteve nga Plani i Rritjes së BE-së, vlerësimet e PBB-së mbeten në të njëjtin pozicion.



