
Turqia po shqyrton të gjitha masat e mundshme në rast të një konflikti midis fqinjit të saj, Iranit, dhe Shteteve të Bashkuara, tha një burim diplomatik turk për “Reuters” të mërkurën.
Irani dhe Shtetet e Bashkuara rifilluan bisedimet në fillim të këtij muaji, ndërsa Uashingtoni forcon kapacitetet e tij ushtarake në Lindjen e Mesme. Irani ka kërcënuar të godasë bazat amerikane në rajon nëse sulmohet, por diplomati më i lartë i Teheranit tha të martën se një marrëveshje me Shtetet e Bashkuara është ende e mundur.
Turqia, një anëtare e NATO-s që kufizohet me Iranin në lindje, ka thënë se kundërshton çdo ndërhyrje ushtarake në Iran, duke paralajmëruar për rrezikun e destabilizimit të rajonit.
Ankaraja ka qenë në kontakt me të dyja palët për të ulur tensionet dhe ka bërë thirrje që çështjet të zgjidhen përmes kanaleve diplomatike.
Më parë, zyra e presidencës turke për luftimin e dezinformimit mohoi raportet se Turqia po planifikonte të hynte në territorin iranian për të parandaluar një fluks të mundshëm refugjatësh.



