LajmeRajon

​Regjistrimi s’pritet të ofrojë të dhëna shumë të sakta për personat me aftësi të kufizuara

Personat me aftësi të kufizuara shprehen skeptikë sa i përket procesit të regjistrimit të popullsisë në Kosovë, pasi pyetësori nuk e përcakton llojin e aftësisë së kufizuar, ndërkohë që edhe intervistuesit nuk kanë informata të mjaftueshme.

Organizatat jo-qeveritare që merren me avokimin e të drejtave të tyre nuk presin që nga ky proces të ofrohen të dhëna me numrin e saktë të personave me aftësi të kufizuara në Kosovë. Ndërsa, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) thotë se pyetësori është formuluar nga rekomandimet e Uashington Group.

Drejtori i Shoqatës së Paraplegjikëve dhe Paralizës së Fëmijëve të Kosovës (HANDIKOS), Afrim Maliqi shpreh drojën se nga ky proces do të dalin të dhëna të përafërta të numrit të personave me aftësi të kufizuara në Kosovë.

“Ne presim që regjistrimi i popullsisë mund të sjellë informata më të sakta, por jo edhe shumë të sakta, sepse mund të ndodhë që edhe pyetjet që janë të formuluara në formularët për regjistrim të popullatës nuk janë shumë të përshtatura për rrethanat tona dhe çështja tjetër është se edhe intervistuesit mund të mos kenë njohuri dhe informata të mjaftueshme dhe të duhura se si t’i qasen një familjes që personi me aftësi të kufizuara apo edhe familja të deklarojë se personi apo familjari e ka një kufizim. Por, prapë do të jetë komplekse apo problematike se shumë familjarë apo shumë persona nuk e dinë nëse ai ka një vështirësi, sepse atë nuk e ka vlerësuar askush. Dhe ato komisione të cilat janë deri më tani sipas disa ligjeve që i vlerësojnë personat me aftësi të kufizuara bëjnë gabime jashtëzakonisht, madje edhe padrejtësi sepse nuk janë profesionistë”, deklaron Maliqi.

Skeptik shprehet edhe drejtori i Forumit Kosovar të Aftësisë së Kufizuar, Bujar Kadriu, i cili thotë se pyetjet janë të përgjithshme.

“Pyetësori jo në mënyrë decidive përcakton grupin apo llojin e aftësisë së kufizuar. Edhe jo që jep mundësi personave me aftësi të kufizuara që ta kuptojnë drejt edhe pyetjen, sepse pyetja është gjenerale. Si për shembull ‘ki probleme me shikim pak, shumë, mjaftueshëm’, apo ‘ki probleme me lëvizje’. Zakonisht ballafaqohet me problemin e jo në atë që realisht duhet të identifikohet. Unë personalisht kam një lloj skepticizmi, se ne do të mund të kemi të dhëna të sakta për numrin e personave me aftësi të kufizuara. Që realisht do të ishte në interes i përgjithshëm të personave me aftësi të kufizuara, sepse mbi bazën e statistikave të sakta, natyrisht që hartohen edhe programet nga qeveria, institucionet që të aprovohen çështje të rëndësishme”, shprehet ai.

Para fillimit të procesit për regjistrimin e popullsisë, ai shton se kanë pasur takime me Agjencinë e Statistikave të Kosovës, por kjo e fundit ka zbatuar rekomandimet e Uashington Group.

“Kërkesa tona kanë qenë që pyetja të jetë e formuluar më saktë. Realisht person me dëmtime në të pamë apo person me aftësi fizike të kufizuar, person me aftësi të kufizuar intelektuale, person me aftësi të kufizuar në dëgjim. Prandaj, këto çështje do të na orientonin më shumë se ne kemi pritshmërinë nga ky regjistrim të numrit të përgjithshëm të personave me aftësi të kufizuara. Sepse në qoftë se do të kishim një lloj pyetësori me këto pyetje të specifikuara, atëherë do të thoshim me kënaqësi, se ne në fund të këtij procesi do të dalim me shifra të sakta se sa persona me aftësi të kufizuara janë në Kosovë. Kjo pyetje na bëhet shpesh neve organizatave për personat me aftësi të kufizuara dhe ne realisht nuk kemi ndonjë statistikë të saktë dhe ne përherë themi që sipas OBSh-së”, shton ai.

Institucioni i Avokatit të Popullit nuk ka pranuar ende ankesa, por Naim Qelaj pohon se në diskutime me organizatat jo-qeveritare janë njoftuar për shqetësime të tilla.

Një shqetësim tjetër që kemi mundur të kuptojmë në bazë të deklarimeve publike dhe të diskutimeve që kemi pasur me përfaqësues të shoqërisë civile, del në qasjen e regjistruesve në raport me qytetarët që japin të dhënat në regjistrim. Kjo qasje jo çdo herë është e përshtatshme dhe gjuhë e pranueshme, duke anashkaluar ose duke tejkaluar shumë pyetje që janë në formularë ose duke mos i dhënë rëndësi, duke mos e informuar qytetarin se janë regjistruar të dhënat e caktuara, sidomos sa i përket aftësisë së kufizuar, qasjes dhe aspekteve tjera që lidhen me personat me aftësi të kufizuara. Ajo që unë e konsideroj të nevojshme është që në çdo rast, edhe pse ka kaluar faza e konsultimeve dhe faza e diskutimeve për formularin, agjencioni i cili është përgjegjës për këtë regjistrim duhet të vazhdojë komunikimin”, shprehet ai.

Ndërkaq, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati deklaron për KosovaPress se pyetjet janë harmonizuar me Uashington Group.

“Pyetjet që janë për modulin aftësi të kufizuara është marrë nga rekomandimi i Uashington Group, është harmonizimi ndërkombëtar i pyetjeve për personat me aftësi të kufizuara. Edhe është rekomandim që secili shtet t’i merr ato pyetje. Ne i kemi marrë ato pyetje, por jemi konsultuar me gjithë shfrytëzuesit paraprakisht para se të finalizojmë. Dhe besoj që janë përfshirë të gjitha pyetjet dhe janë akomoduar në interes të tyre edhe gjithë Kosovës. Ndoshta mund të ketë ndonjë pyetje tjetër specifike, por që neve nuk na është e ditur kur e kemi finalizuar pyetësorin. Besoj që këto të dhëna do të jetë shumë të mira për institucionet, por edhe për organizatat, sepse kanë gjithë përfshirje në Kosovë, edhe përfshirë gjithë strukturën e popullsisë në aspektin kulturor, etnik, religjioni”, përfundon ai.

Në regjistrimin e fundit të vitit 2011, në Kosovë jetojnë 93 mijë persona me aftësi të kufizuara.

Related Articles

Back to top button
Close
Close