
Milicia Houthi e Jemenit ka njoftuar të hënën një përshkallëzim të ri të veprimeve të saj ushtarake, duke deklaruar një sulm me raketa ndaj Izraelit dhe shpalljen e ndalimit të plotë të lundrimit të anijeve izraelite në Detin e Kuq. Në një deklaratë zyrtare, grupi tha se “çdo lëvizje sioniste” në këtë zonë do të konsiderohet objektiv ushtarak. “Ne shpallim një ndalim të plotë dhe total të lundrimit për armikun në Detin e Kuq dhe çdo lëvizje sioniste do të konsiderohet si objektiv ushtarak për forcat tona”, thuhet në deklaratë.
“Ne nuk do të qëndrojmë duarkryq përballë rrethimit të padrejtë të popullit tonë”, u shpreh grupi, duke paralajmëruar se do t’i përgjigjet çdo përshkallëzimi “me përshkallëzim”.
Huthitët, të njohur edhe si “Ansar Allah”, janë një grup rebel me bazë në Jemenin perëndimor. Ata kundërshtojnë ndikimin e SHBA-së dhe Izraelit në rajon dhe kanë përdorur shpesh retorikë armiqësore ndaj tyre. Grupi ka deklaruar se veprimet e tij janë në shenjë solidariteti me palestinezët dhe aleatët e tyre në rajon. Tensionet në Detin e Kuq mbeten të larta, ndërsa paralajmërimet e Huthitëve rrisin shqetësimet për ndërprerje të mundshme të rëndësishme në një nga rrugët më strategjike detare në botë.



