
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell do të vizitojë ditën e sotme Shqipërinë.
Në vizitën e tij në Tiranë, Borrell do të takohet me kryeministrin Edi Rama ku në fokus të diskutimit do të jenë procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, emigracioni dhe roli i Shqipërisë në Ballkanin Perëndimor, si dhe ecuria e Ballkanit të Hapur.
Borrell do të jetë i shoqëruar nga kryekomisioneri Oliver Varhelyi, ku së bashku me kryeministrin Rama do të analizohen raportet bilaterale mes Shqipërisë dhe BE-së. Ata do të kenë takime dhe me përfaqësuesit e të rinjve ndërsa do të marrin pjesë edhe në inaugurimin e Kullës së Venecias në Durrës, restaurimi i së cilës është financuar nga fondet e BE-së.
“Këto vizita do të kenë një rast për të analizuar raportet bilaterale të BE-së me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në kuadër të marrëveshjeve përkatëse të Stabilizim Asociimit, si dhe të diskutohet zhvillimet e fundit në këto shtete dhe në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin për mediat për vizitën e shefit të Politikës së Jashtme.
Ndërkaq, nesër do të mbahet Këshilli i Stabilizim i Asociimit, ndërsa më 18 mars Borrell do të organizojë takimin midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, në kuadër të dialogut që e lehtëson blloku evropian. Borrell do të vizitojë edhe Ohrin ku do të zhvillohet takimi i radhës i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Borrell në Shqipëri do të qëndrojë sot dhe nesër ndërsa në Maqedoninë e Veriut më 16 dhe 17 mars. Në 18 mars, Borrell do të organizojë rundin e ri të dialogut midis Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiçit.
Gjatë vizitave në rajonin e Ballkanit Perëndimor, Borrell do të diskutojë edhe për agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, pasojat që kjo ka pasur për Evropën dhe Ballkanin si dhe për bashkëpunimin mes BE-së dhe këtyre shteteve në përballimin e këtyre pasojave.



