LajmeRajon

Rama hedh poshtë lajmin në median italiane për kampin e refugjatëve: Shpifje skandaloze

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka hedhur poshtë si të pavërtetë lajmin e publikuar në median italiane ‘La Repubblica’ se ai ka pasur një telefonatë ‘të tërbuar’ me drejtorin e RAI 3 lidhur me emisionin investigativ “Report” transmetuar nga ky ekran pak ditë më parë.

Duke iu përgjigjur një kërkese për informacion të Shqiptarja.com, kryeministri Rama thotë se u skandalizua nga emisioni me ‘qasje kriminale’ dhe e quan ‘episod të turpshëm baltosjeje të Shqipërisë”

Ndërsa La Repubblica ka edituar shkrimin për ‘telefonatën e tërbuar’ , për të cilën kryeministri shprehet se nuk ka pasur asnjë të tillë por thjesht një kërkesë për telefonatë lidhur “me shpifjen më skandaloze” të emisionit Report.

Reagimi i plotë i Kryeministrit Edi Rama

“Nuk ka pasur asnjë telefonatë me drejtorin e RAI3, po vetëm një kërkesë për telefonatë lidhur me shpifjen më skandaloze të emisionit Report, një episod për Shqipërinë e parë me sytë e shpifësve të mirënjohur të Tiranës dhe ku gazetari italian, me një paturpësi epike jo vetëm që nuk publikoi në emision asgjë nga përgjigjet me shkrim të pyetjeve të tij po me shkrim, dërguar Sekretarit të Përgjithshëm të Kryeministrisë, po edhe u shfaq në një kanal ujrash të zeza në Tiranë ku foli për refuzimin e viktimës së tij për të dhënë përgjigje!

Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm, i cili do të ngrejë padi penale për shpifësin, i është përgjigjur një për një me shkrim pyetjeve të tij, në afatin e kërkuar prej tij, në adresën e tij.

Kërkesa për telefonatën, lidhej vetëm me këtë fakt të dokumentuar dhe të tmerrshëm për një ekran që paguhet nga taksat e italianëve dhe që u angazhua në një episod të turpshëm baltosjeje të Shqipërisë, siç ndodhte në vitet kur në median italiane shqiptarët shfaqeshin vetëm si vrasës, trafikantë, prostituta dhe hajdutë, ndërsa Shqipëria si foleja e krimit në Europë!

Kisha vite pa u skandalizuar me këtë qasje kriminale në emër të lirisë së medias, por e përsëris, nuk pata asnjë telefonatë të tërbuar me drejtorin e RAI3, me të cilin munda të flas krejt qetësisht vetëm pas gënjeshtre të radhës, që kishte dalë edhe në La Repubblica (e cila e fshiu gënjeshtrën) dhe në Syrin e ujrave të zeza të Tiranës, ku natyrisht për vetë natyrën e misionin e kanalit, gënjeshtra mbeti me shoqet e saj të panumërta në tubacionin e jashtënxjerrjeve të armiqve të betuar të çdo suksesi të Shqipërisë.

Edhe sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë Engjëll Agaçi ka njoftuar se do të ngrejë padi penale për gazetarin italian të cilit, nga reagimi në Shqiptarja.com mësohet se i është përgjigjur me shkrim pyetjeve të gazetarit italian, në afatin e kërkuar prej tij por ky i fundit “me një paturpësi epike jo vetëm që nuk publikoi në emision asgjë nga përgjigjet me shkrim të pyetjeve të tij, po edhe u shfaq në një kanal ujrash të zeza në Tiranë ku foli për refuzimin e viktimës së tij për të dhënë përgjigje” thuhet në reagimin e Ramës.

Dokumentari

Më 21 prill në televizionin Rai3 u publikua emisioni investigativ ‘Report’ në të cilën ishte trajtuar marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë për emigrantët, ku ndër të tjera thuhej se njeriu kyç i paktit është Ëngjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave. Këtë të fundit e quan ish avokat të trafikantëve të drogës. Në një reagim për “La Repubblica’ Agaçi, deklaroi se krahasimi i bërë nga programi televiziv ishte shumë i dëmshëm për reputacionin e tij dhe kishte udhëzuar avokatët të ngrenë padi për shpifje.

“Kam lënë detyrën ligjore dhjetë vjet më parë dhe krahasimi i bërë nga programi televiziv Report është shumë i dëmshëm për reputacionin tim. Unë kam udhëzuar tashmë avokatët e mi italianë që të ngrenë një padi për shpifje kundër programit televiziv shtetëror italian. Burimet duhet të verifikohen dhe po ashtu edhe lajmet”, ka thënë Agaçi në reagimin e dates 21 prill.

Related Articles

Back to top button
Close
Close