
Kryeministri: Po punojmë që rajoni mos jetë vatër konfliktesh
Kryeministri Rama i cilëson të vështira kohët që po jeton bota, por Ballkanin Perëndimor e sheh në një pozicion më të favorshëm në arenën ndërkombëtare.
Në një intervistë për median malazeze “A Plus Tv”, kreu i qeverisë shqiptare ka folur gjatë për situatën në Ballkan.
“Mendoj se të gjithë duhet të përgatitemi për faktin se do të bëhet më e vështirë, sepse gjërat po ndërlikohen gjithnjë e më shumë në çdo front. Por jam optimist, sepse Ballkani Perëndimor nuk ka qenë kurrë në pozicion luftarak.”
Kryeministri Rama ka komentuar konfliktin Kosovë – Serbi si dhe marrëdhënien e tij me Presidentin Vuçiç.
“I ndoqa deklaratën e fundit të Presidentit Vuçiç nga Davos dhe mendoj se ishte mjaft i respektueshëm duke pasur parasysh mënyrën se si ai shprehu nevojën për të ecur përpara. Presidenti Vuçiç dhe unë kemi gjithmonë pikëpamje të ndryshme për çështjen e Kosovës. Mirëpo, mendoj se ndërkohë gjërat po përparojnë”.
Rama e cilësoi veten si një politikan të veçantë në rajon dhe për të mbështetur këtë ide të tij dha edhe një shembull.
“Unë jam për shembull, një mik shumë i mirë i Xhorxh Soros dhe Rexhep Tajip Erdogan, dhe ky është një nivel edhe më i lartë konflikti, le të themi është një duel global”.
Rama foli edhe për projektin Open Balkan, tema ekonomike që lidhen me bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi si dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Klan News



