LajmeMaqedoniTopLajm

Qeveria nuk ia lëshon paratë, “Bechtel & Enka” largon 50 punëtorë

Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) në Gostivar ka reaguar ndaj largimit nga puna të rreth 50 punëtorëve nga Maqedonia e Veriut nga kompania Bechtel-Enka, duke e cilësuar këtë veprim si shqetësues dhe të pashpjeguar.

Nga kjo degë e BDI-së thonë se punëtorët janë përjashtuar nga puna pa asnjë fakt të paraqitur, pa gabime të provuara dhe pa paralajmërim paraprak, gjë që sipas tyre ngre pikëpyetje serioze për mënyrën se si po trajtohen punëtorët vendas në projektet infrastrukturore.

“Një vendim i tillë i menjëhershëm dhe i pashpjeguar duket më shumë si një formë hakmarrjeje sesa si një procedurë e rregullt pune”, thuhet në reagimin e BDI-së në Gostivar.

Sipas tyre, shkaku i situatës mund të lidhet me faktin se shteti nuk po i lëshon mjetet financiare kompanisë, ndërsa pasojat po i bartin punëtorët që po mbeten pa punë, pa asnjë faj të tyre.

Nga BDI theksojnë se institucionet nuk duhet të qëndrojnë në heshtje përballë një situate të tillë dhe kërkojnë reagim të menjëhershëm nga autoritetet. “Qeveria duhet urgjentisht të ndërmarrë masa, të kërkojë sqarime nga kompania dhe të mbrojë të drejtat e punëtorëve tanë”, theksohet në reagim.

BDI në Gostivar shton se punëtorët meritojnë dinjitet, respekt dhe trajtim të drejtë, duke kërkuar që çështja të sqarohet sa më shpejt dhe të merren masa për mbrojtjen e tyre. (koha.mk)

Related Articles

Back to top button
Close
Close