LajmeMaqedoni

Punonjësve pa kontratë ISSH ua ndalon hyrjen në Klinikë! Toksikologjia mund të paguaj gjobë nëse nuk e zbaton vendimin

Inspektorati sanitar dhe shëndetësor kërkon që 18 të punësuarve në Klinikën e Toksikologjisë, të cilëve më 1 janar u ka skaduar kontrata e punës, t’u ndalohet qasja në repart. Kjo pasi drejtoresha financiare nuk e ka nënshkruar vendimin e mëparshëm që doli nga inspektimi, thotë drejtoresha e Inspektoratit Renata Mlladenovska. E nëse kjo nuk zbatohet, Klinika detyrohet të paguaj gjoba me të holla.

Inspektorati Sanitar dhe Shëndetësor për shkak të veprimit të pjesshëm, do të lëshojë edhe një vendim me të cilin do të ndalohet qasje të punëtorëve shëndetësorë të cilët nuk kanë asnjë kontratë për punë sipas Ligjit për mbrojtje shëndetësore dhe Ligjit për mbikëqyrje inspektuese”, tha  Renata Mlladenovska –  drejtoreshë e Inspektoratit Shtetëror Sanitar.

Drejtoresha financiare Besija Iljazi thotë se ky problem daton që nga muaji janar, pasi nuk janë ndjekur procedurat e duhura në fillim të vitit, për arsye që, sipas saj, i di vetëm Drejtori mjekësor. Ajo insiston se klinika ka nevojë për staf shtesë, prandaj duhet t’u vazhdohet kontrata 18 personave.

“Me ardhjen time nga muaji shkurt, këtij problemi i jam qasur me përkushtim dhe seriozitet të madh, kam bërë kërkesë të re në Ministri të Shëndetësisë, kam paraqitur rëndësinë e punës dhe nevojën që ka klinika për këta të punësuar të cilët janë me vite këtu dhe tani pëlqimi është marrë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe nuk ka asnjë problem, çështja e tyre është rregulluar, tani ka ngelur t’i ndjekim disa procedura ligjore që janë të nevojshme për këtë kohë dhe ata do t’i kthehen punës normale shumë shpejt”, pohoi Besa Iljazi, drejtoreshë financiare në Klinikën e Toksikologjisë.

Në vetëm një muaj, klinika u trondit nga disa skandale. Nga tentativat për të falsifikuar rezultate e deri te kërcënimet për shkarkimin e drejtorit mjekësor, ndërsa pati edhe vërshime për të cilat ende nuk ka përgjigje se kush është përgjegjës dhe pse klinika nuk ka pasur sigurim, siç pretendojnë disa nga mjekët.

Related Articles

Back to top button
Close
Close