LajmeMaqedoniOpinion

Provimi i Jurisprudencës në gjuhën shqipe, detyrim kushtetues dhe ligjor

Nga Mr. Bujar Kajolli

Përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet e Republikës së Maqedonisë së Veriut nuk është çështje vullneti administrativ, por e drejtë e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe e rregulluar qartë me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Në këtë kontekst, çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe nuk përbën dilemë juridike, por kërkon vetëm interpretim korrekt dhe zbatim konsekuent të dispozitave ekzistuese ligjore. Analiza e normave kushtetuese dhe ligjore dëshmon qartë se e drejta për përdorimin e gjuhës shqipe në këtë procedurë është e garantuar dhe e detyrueshme për institucionet shtetërore.

Neni 7, i Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i zëvendësuar me Amendamentin V të Kushtetutës thotë se: “… Çdo qytetar në komunikim me ministritë, mund ta përdorë njërën nga gjuhët zyrtare dhe alfabetin e saj, ndërsa ministritë përgjigjen në gjuhën maqedonase dhe alfabetin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe alfabetin të cilin e përdor qytetari”. Më tej, përcaktohet se “Në organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, gjuha zyrtare e ndryshme nga gjuha maqedonase, mund të përdoret në përputhje me ligjin”. Këtu, termi “ligj” i referohet Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, por edhe ligjeve të tjera që rregullojnë këtë çështje.

Duke pas parasysh se Ligji amë, përkatësisht Ligji për Provimin e Jurisprudencës, nuk e definon gjuhën në të cilën kandidatët duhet ti nënshtrohen këtij provimi, këtë gjë, qartë e definon Ligji për Përdorimin e Gjuhëve (“Gazeta zyrtare e RM-së” nr. 7/2019), i cili është miratuar para Ligjit për Provimin e Jurisprudencës. Neni 1 paragrafi 3 i këtij ligji e definon se: Në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, entet dhe organizatat, komisionet, personat juridikë që kryejnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj është edhe gjuha që e flasin 20% e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabeti i saj, në mënyrë të përcaktuar me këtë ligj.”

Neni 2, paragrafi 1 i të njëjtit ligj e përcakton se institucionet e lartëpërmendura kanë obligim t’u mundësojnë qytetarëve shfrytëzimin, përdorimin dhe zbatimin e gjuhëve zyrtare dhe alfabeteve të tyre në cilëndo qoftë procedurë, si dhe zhvillimin e atyre procedurave në atë gjuhë zyrtare dhe në atë alfabet. Ky ligj garanton përdorimin e gjuhës shqipe në komunikim, dhe në të gjitha procedurat e qytetarëve para të gjitha organeve të cilat e përbëjnë pushtetin shtetëror, ku bën pjesë edhe Ministria e Drejtësisë.

Neni 6, paragrafi 1 i të njëjtit ligj, ndër të tjera thotë se të gjitha organet e pushtetit shtetëror dhe instituconet tjera janë të obliguara me detyrë zyrtare të sigurojnë zhvillimin e procedurave në gjuhën të cilën e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe alfabetin e saj, nëse personi, përkatësisht pjesëmarrësi flet një gjuhë të tillë.

Bazuar në nenin 23, paragrafi 4 të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, ku përcaktohet se: “Në afat prej një viti, dispozitat e ligjeve tjera harmonizohen me dispozitat e këtij ligji” si dhe në paragrafin 5 të po këtij neni i cili thotë “Në rast të mosharmonizimit të dispozitave të këtij ligji me dispozitat gjuhësore të ligjit tjetër, organet kanë për detyrë t’i zbatojnë dispozitat e këtij ligji”, rezulton qartë se, edhe në rast të mospërputhjeve, përparësi ka Ligji për Përdorimin e Gjuhëve. Duke pasur parasysh se Ligji për Provimin e Jurisprudencës është miratuar pas këtij ligji dhe nuk e ka rregulluar çështjen e gjuhës, është e qartë se dhënia e provimit në gjuhën shqipe nuk paraqet asnjë pengesë ligjore.

Sa i përket Ligjit për Provimin e Jurisprudencës (“Gazeta zyrtare e RMV-së” nr. 190/2019), ai këtë lloj provimi e parasheh si provim profesional. Neni 2, thekson se: “Provimi jepet për kontroll të aftësisë profesionale të personave që kanë kryer arsim të lartë katërvjeçar të studimeve juridike VII/1, si dhe personat që kanë studiuar studime juridike sipas Deklaratës së Bolonjës dhe kanë 300 kredi sipas sistemit evropian për transfer të kredive (SETK) (në tekstin e mëtejmë: juristët e diplomuar) për zbatim të pavarur të rregullave në praktikë dhe kryerjen e punëve juridike për të cilat me ligj është paraparë ky kusht.” Nga kjo dispozitë rezulton se ky provim, ka për qëllim verifikimin e aftësive profesionale dhe jo testimin e njohurive gjuhësore.

Rregullorja për metodën e dhënies së provimit të jurisprudencës dhe për formën dhe përmbajtjen e certifikatës së provimit të kaluar të jurisprudencës, definon vetëm mënyrën e zhvillimit të provimit dhe njejtë si ligji amë, nuk e definon gjuhën në të cilën kandidatët duhet ti nënshtrohen këtij provimi. Megjithatë, neni 11 paragrafi 2 i kësaj rregulloreje e definon se certifikata mbi provimin e dhënë të jurisprudencës lëshohet edhe në gjuhën të cilën e flasin 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me kërkesë të palës.

Sa i përket çështjes, nëse ky provim hyn në kategorinë e procedurës administrative, kjo rregullohet me Ligjin për Procedurë të Përgjithshme Administrative (“Gazeta zyrtare e RM-së” nr. 38/05, 110/08 dhe 51/11), i cili përveçse garanton përdorimin e gjuhës shqipe në çdo procedurë administrative, qartazi definon edhe kuptimin e punëve administrative. Neni 2, paragrafi 1 i këtij ligji thotë: “Sipas këtij ligji, punë administrative paraqesin të gjitha aktet dhe veprimet përmes të cilave shprehen dhe zbatohen kompetencat e administratës publike.” Rrjedhimisht, dhënia e provimit të jurisprudencës, si provim profesional, i organizuar nga organ i administratës shtetërore, bie në kategorinë e procedurës administrative, sepse me anë të këtij provimi zbatohen kompetencat e administratës publike dhe, në përfundim të procedurës, lëshohet një certifikatë, që paraqet një akt administrativ.

Po ky Ligj, garanton edhe përdorimin e gjuhës shqipe në procedurat administrative para organeve të pushtetit shtetëror, në përputhje me Amandamentin V të Kushtetutës dhe me Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve. Nenit 19, paragrafi 2, thekson se: “Në procedurën administrative që udhëhiqet në organet e administratës shtetërore, organet tjera shtetërore, organet e Komunës (…) gjuha tjetër që e flasin së paku 20 % e qytetarëve dhe alfabeti i saj përdoret në pajtim me këtë Ligj.”

Fakt shtesë që dëshmon se bëhet fjalë për procedurë administrative, është mënyra e fillimit të saj, përkatësisht dorëzimi i kërkesës para një organi të administratës shtetërore. Nëse pala e dorëzon kërkesën në gjuhën të cilën e flet, në bazë të nenit 61 të Ligjit për Procedurë të Përgjithshme Administrative, organi shtetëror obligohet ta pranojë kërkesën në gjuhën në të cilën është parashtruar, dhe pas përkthimit të saj në gjuhën maqedonase, palës përgjigje do i kthejë në gjuhën maqedonase dhe shkrimin e saj cirilik, si dhe në gjuhën zyrtare dhe shkrimin që e përdor qytetari.

Praktika të ngjashme ekzistojnë edhe në raste të tjera të provimeve profesionale, si provimi profesional për nëpunës administrativ apo provimi për marrjen e lejes së drejtimit të automjetit, ku kandidatët i nënshtrohen provimit në gjuhën shqipe, edhe pse kjo nuk është e rregulluar shprehimisht në ligjet amë përkatëse.

Si përfundim, mund të konstatojmë se nga të gjitha dispozitat e cituara, duke filluar nga Amendamenti V i Kushtetutës, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative, e deri te vetë Ligji për Provimin e Jurisprudencës, rezulton qartë se nuk ekziston asnjë pengesë ligjore për organizimin dhe zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Përkundrazi, mosmundësimi i kësaj të drejte do të ishte në kundërshtim me rendin juridik në fuqi. Provimi i jurisprudencës është provim profesional për verifikimin e aftësive juridike dhe jo test gjuhësor; rrjedhimisht, respektimi i barazisë gjuhësore në këtë proces përbën jo vetëm obligim ligjor, por edhe standard demokratik dhe institucional që garanton trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët.

Related Articles

Back to top button
Close
Close