BotaLajmeMaqedoniTopLajm

Propozimi: Votë e kufizuar për anëtarët e rinj të BE – Gjermania, Franca dhe shtetet e Beneluksit firmosin non-paper

Një grup shtetesh anëtare të Bashkimit Evropian (BE) kanë propozuar që anëtarët e ardhshëm të bllokut, gjatë një periudhe kalimtare pas pranimit në bllok, të kenë të drejta të kufizuara.Në mesin e kufizimeve kyç është propozimi që anëtarët e rinj të kenë të drejtë të kufizuar vote.

“BE-ja duhet të zhvillojë një diskutim të detajuar mbi mundësinë e kufizimeve të përkohshme, kalimtare të së drejtës së votës për shtetet e reja anëtare, veçanërisht në fushat e acquis-së së BE-së ku kërkohet unanimitet [për shembull zgjerimi, politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë, korniza shumëvjeçare financiare], duke marrë parasysh ndjeshmërinë juridike dhe politike”, thuhet në të ashtuquajturin non-paper të nënshkruar nga Gjermania, Franca dhe shtetet e Beneluksit (Holanda, Belgjika dhe Luksemburgu).

Për momentin, i vetmi shtet me gjasa reale për anëtarësim të ardhshëm në BE është Mali i Zi, pasi Bashkimi Evropian ka marrë vendim për formimin e një grupi ad hoc që do të punojë në hartimin e draft-marrëveshjes së anëtarësimit. Kjo është hera e parë pas 17 vjetësh që BE-ja nis punën për tekstin e një marrëveshjeje anëtarësimi, pas vitit 2009, kur i njëjti proces filloi për Kroacinë.

Në dokument theksohet se situata gjeopolitike ka ndryshuar ndjeshëm që nga hyrja e Kroacisë në BE dhe se, siç thuhet, zgjerimi nuk shihet më vetëm si një proces teknik i bazuar në merita, por si një investim strategjik në paqen, sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin e Evropës.

Autorët e dokumentit konsiderojnë se nevojitet një model i përgjithshëm për marrëveshjet e ardhshme të anëtarësimit dhe një katalog opsionesh që mund të përshtatet me veçoritë e secilit shtet kandidat. Aty propozohet po ashtu hartimi i një kornize standarde për marrëveshjet e ardhshme.

Sipas dokumentit, sundimi i ligjit është fusha më e rëndësishme në të cilën do të zbatoheshin klauzolat mbrojtëse. Pesë shtetet anëtare të BE-së propozojnë të ashtuquajturën klauzolë për parandalimin e prapakthimit në raport me vlerat evropiane dhe sundimin e ligjit.

Related Articles

Back to top button
Close
Close