
Prokurori publik i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe ekipi i prokurorëve që udhëheqin hetimin për zjarrin tragjik në diskotekën “Puls” në Koçan u takuan sot me familjet e viktimave. Siç njofton Prokuroria, në takim prokurorët kanë informuar të afërmit mbi ecurinë e procedurës hetimore dhe janë përgjigjur ndaj pyetjeve dhe dilemave të tyre.
Nga Prokuroria sigurojnë se hetimi është gjithëpërfshirës dhe se shqyrtohen të gjitha aspektet e përgjegjësisë së mundshme:
“Duke iu përgjigjur të gjitha pyetjeve dhe dilemave të ngritura nga të afërmit e viktimave, prokurorët i siguruan ata se hetimi është gjithëpërfshirës dhe se po merren parasysh të gjitha aspektet e përgjegjësisë për ngjarjen tragjike. Familjet u informuan gjithashtu edhe për dinamikën e marrjes në pyetje të palëve të dëmtuara, si fazë tjetër e procesit hetimor”, theksohet në kumtesën e Prokurorisë.
Prej atje thonë se Prokuroria vazhdon intensivisht të ndërmarrë aktivitete për ekspertizë ku shumica e rezultateve paraprake priten në ditët në vijim.
“Në hetimin janë angazhuar kapacitetet maksimale nga të gjitha organet hetimore dhe janë përfshirë dhjetëra ekspertë nga fusha të ndryshme”, kanë thënë nga PP.
Njëherësh Prokuroria ka bërë thirrje të hapur deri te të gjithë qytetarët që disponojnë me dëshmi personale, informacione ose prova që lidhen me punën e klubit “Puls” dhe kompanive të lidhura me të, si dhe institucioneve kompetente, që t’i ndajnë ato përmes një formulari special i cili është i qasshëm në faqen e internetit të Prokurorisë (www.jorm.gov.mk).
Formulari i plotësuar mund të dërgohet në email-n: [email protected] që bazuar në rëndësinë e të dhënave, qytetarët do të kontaktohen nga ekipi hetimor.
Prokuroria thekson se zbardhja e shkaqeve në kohë dhe gjithëpërfshirës dhe përgjegjësitë për zjarrin, mbeten prioritet kryesor.
Familjet e viktimave të zjarrit në diskotekën “Puls” në Koçan sot para Prokurorisë publike në Shkup bënë thirrje për përgjegjësi dhe kërkuan dorëheqjen e të gjithë njerëzve përgjegjës dhe formimin e një qeverie të ekspertëve.



