Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski sot do të ketë fjalim në Debatin e përgjithshëm të Sesionit të 76-të të Asamblesë së përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, që mbahet në temë “Ndërtimi i rezistencës përmes shpresës – rimëkëmbjes nga Kovid-19, rimëkëmbje e qëndrueshme, përgjigje e nevojave të planetit, respektim të të drejtave të njerëzve dhe revitalizimi i Kombeve të Bashkuara”.
Në kuadër të pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së, është paraparë që presidenti Pendarovski të ketë takim me sekretarin e përgjithshëm të Organizatës botërore Antonio Guteresh, si dhe takime bilaterale me shefat e shteteve dhe qeverive, pjesëmarrës në Asamblenë e përgjithshme.
Presidenti Pendarovski, siç kumtoi Kabineti i tij, në Nju-Jork mori pjesë në Takimin e 20-të në nivel të lartë në organizim të Qendrës ndërkombëtare Nizami Ganxhavi në temë “Çka do të thotë paqja dhe stabiliteti në shekullin 21?”.
Në këtë rast, presidenti u përqendrua në përvojat e Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke vendosur theks në kompromiset e bëra me fqinjët, anëtarësimin në NATO dhe përkushtimin e integrimit të vendit në Bashkimin Evropian.
Me këtë rast, presidenti Pendarovski konstatoi se mbajtja e perspektivës për anëtarësim në BE është treguar kyç për reformat, jo vetëm në shtetin tonë, por edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërsa vetë pjesëmarrja – kyçe për sigurimin e stabilitetit afatgjat, paqes dhe prosperitetit në rajon.
Në kuadër të aktiviteteve në Nju-Jork, presidenti Pendarovski pati takim me drejtoreshën ekzekutive të UNFPA-s, Natali Kanem.
Në takim u bisedua për bashkëpunimin aktual midis vendit tonë dhe UNFPA-së lidhur me krijmin e politikave për popullatën dhe marrjen e aktiviteteve me qëllim të përmirësimit të qasjes deri tek shërbimet nga fusha e shëndetit riprodhues dhe në drejtim të parandalimit dhe përgjigjes së dhunës së bazuar gjinore.
Pendarovski në Nju-Jork mori pjesë në Samitin global virtual për luftë kundër Kovid-19 “Fund i pandemisë dhe vendosje të bazave më të mira si përgatitje për të ardhshmin”, të organizuar nga presidenti i SHBA-së, Xho Bajden, në margjinat e Asamblesë së 76-të të Përgjithshme të KB-së.
Siç është paralajmëruar, Pendarovski do të realizojë takime me përfaqësuesit e Maqedonia 2025, me përfaqësues të Komitetit amerikano-hebraik në Nju-Jork, si dhe me përfaqësues të diasporës.
Gjatë vizitës, presidenti Pendarovski është i shoqëruar nga bashkëshortja Elizabeta Gjorgievska, e cila do të ketë fjalim në ngjarjen në nivel të lartë të dedikuar në shënimin e 30 vjetorit nga fushata e 16-të globale kundër dhunës së bazuar gjinore, do të mbajë ligjëratë në Fakultetin stomatologjik pranë Universitetit Kolumbia dhe do ta vizitojë shkollën për fëmijë me nevoja të veçanta Jesse J.Kaplan.