
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, mbërriti të hënën në Korenë e Veriut për një vizitë shtetërore dyditore, e para e tij në Phenian pas shtatë vitesh.
Vizita vjen në një moment të rëndësishëm gjeopolitik, vetëm pak javë pasi Xi zhvilloi takime të ndara me presidentin amerikan Donald Trump dhe homologun rus Vladimir Putin. Ajo konsiderohet si një sinjal i qartë se Pekini synon të forcojë më tej marrëdhëniet tradicionale me Phenianin dhe të riafirmojë rolin e tij si partneri kryesor ekonomik dhe diplomatik i Koresë së Veriut.
Vizita zhvillohet gjithashtu në një kohë kur Koreja e Veriut po intensifikon programet e saj ushtarake dhe bërthamore. Ditët e fundit, Kim Jong Un ka inspektuar objekte të prodhimit të raketave dhe materiale bërthamore, duke deklaruar se vendi do të forcojë kapacitetet e tij strategjike.
Mediat shtetërore kineze e kanë cilësuar udhëtimin si një mundësi për të thelluar bashkëpunimin mes dy vendeve dhe për të kontribuar në paqen dhe stabilitetin rajonal.



