
Një shpërthim ka ndodhur mëngjesin e sotëm në lagjen e “Universitetit” në Prishtinë, ku gjashtë vetura janë dëmtuar.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Agron Borovci konfirmoi rastin, derisa tha se bëhet fjalë për shpërthimin e një granatë dore.
Borovci shtoi tutje se përgjatë kryerjes së ekzaminimit të vendngjarjes rruga është bllokuar për lëvizje, ndërkaq njësia për menaxhimin e mjeteve shpërthyese ka bërë pastrimin e terrenit.
“Rezultatet e para sugjerojnë që mjeti shpërthyes të ketë qenë granatë dore, ndërkohë që policia po vijon me ndërmarrjen e veprimeve të tjera për ndriçimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, u shpreh ai.
Lidhur me rastin, u deklarua edhe zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.
“Prokurori kujdestar është njoftuar për këtë rast. Me urdhër të njëjtit janë iniciuar hetime, derisa në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë veprime hetimore me qellim te sqarimit te rrethanave të këtij rasti dhe identifikimit të dyshuarit/ve”, tha Ulaj.
Më poshtë pamjet nga vendi i ngjarjes:





