Policia e Kosovës: Po hetojmë rrëmbimet e raportuara të serbëve nga grupet kriminale

Policia e Kosovës tha se është duke kryer hetimet e nevojshme lidhur me informacionet dhe raportimet mediale për rrëmbimin e disa qytetarëve serbë në veri të Kosovës.
Policia tha se është duke i trajtuar këto raste me “seriozitet”.
Policia nuk bëri të ditur se sa persona dyshohet se janë rrëmbyer apo të keqtrajtuar dhe kur kanë ndodhur këto incidente.
Megjithatë, forcat e rendit thanë se tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, kërkojnë ngritjen e kapaciteteve policore për të menaxhuar situatën e sigurisë dhe për të parandaluar “aktivitetet kriminale”.
Në veri të Kosovës, tensionet janë rritur që nga fillimi i dhjetorit, teksa janë regjistruar disa incidente me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.
Më 10 dhjetor, disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada, duke bllokuar rrugët që çojnë drejt Jarinjës dhe Bërnjakut, dy pikëkalimeve kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë.
Ngritja e barrikadave u bë në shenjë pakënaqësie me arrestimin e ish-policit serb, Dejan Pantiq. Autoritetet në Kosovë dyshojnë se ai ka organizuar sulmin e 6 dhjetorit ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Qeveria e Kosovës ka thënë se barrikadat nuk do të tolerohen që të qëndrojnë për një kohë të gjatë, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se trupave të KFOR-it u është dhënë kohë për t’i larguar barrikadat.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se barrikadat do të hiqen pasi Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.



