
Historia qindravjeçare e Prishtinës tash e tutje do të mund të njihet edhe përmes platformës digjitale “Prishtina në histori”.
E krijuar nga “Trembelat”, kjo platformë prezanton qindra dokumente origjinale për Prishtinën, që nga shekulli i 13-të.
Përmes një komunikate për media, “Trembelat” kanë bërë të ditur se platforma digjitale (qerthulli) “Prishtina në histori” përmbledh një grumbull digjital të teksteve, hartave, gravurave, fotografive dhe punimeve rreth historisë së qytetit të Prishtinës që kapin kohën prej fundit të shekullit 13-të deri në vitet e para të shekullit XX.
Në Arkivin e Prishtinës, pjesë e Komunës së Prishtinës, rishtazi janë sjellë rreth 38,598 dokumente osmane, të cilat dokumentojnë historinë e Prishtinës prej shekullit të 15-të deri në shekullin 20-të, shumica prej tyre, siç thuhet në komunikatë janë krejt të pastudiuara dhe të panjohura për publikun.



