BotaLajme

Planet e Trump për shpërnguljen e palestinezëve nga Gaza, Associated Press: SHBA dhe Izraeli po konsiderojnë zhvendosjen e tyre në Afrikë

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli, kanë kontaktuar me zyrtarë të tre qeverive të Afrikës Lindore për të diskutuar përdorimin e territoreve të tyre si destinacione të mundshme për rivendosjen e palestinezëve të zhvendosur nga Rripi i Gazës, sipas planit të propozuar të Presidentit Donald Trump të pasluftës, thanë zyrtarët amerikanë dhe izraelitë për Associated Press.

Presidenti Donald Trump, Benjamin Netanyahu

Kontaktet me Sudanin, Somalinë dhe rajonin e shkëputur të Somalisë të njohur si Somaliland, pasqyrojnë vendosmërinë e SHBA-së dhe Izraelit për të vazhduar përpara me një plan që është dënuar gjerësisht dhe ka ngritur çështje serioze ligjore dhe morale.

Për shkak se të tre vendet janë të varfra dhe në disa raste të shkatërruara nga dhuna, propozimi gjithashtu hedh dyshime mbi qëllimin e deklaruar të Trump për të rivendosur palestinezët e Gazës në një “zonë të bukur”.

Zyrtarët nga Sudani thanë se kanë refuzuar propozimet nga SHBA, ndërsa zyrtarët nga Somalia dhe Somaliland,  thanë për Associated Press se nuk ishin në dijeni të ndonjë kontakti.

Sipas planit të Trump, më shumë se 2 milionë banorët e Gazës do të dërgoheshin përgjithmonë diku tjetër. Ai ka propozuar që SHBA të marrin pronësinë e territorit, të mbikëqyrin një proces të gjatë pastrimi dhe ta zhvillojnë atë si një projekt të pasurive të paluajtshme.

Ideja e një transferimi masiv të palestinezëve dikur konsiderohej si një fantazi e skajit ultranacionalist të Izraelit. Por, që kur Trump e prezantoi idenë në një takim në Shtëpinë e Bardhë muajin e kaluar, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, e ka përshëndetur atë si një “vizion të guximshëm”.

Palestinezët në Gaza e kanë hedhur poshtë propozimin dhe pretendimet izraelite se largimet do të ishin vullnetare. Kombet arabe kanë shprehur kundërshtim të ashpër dhe kanë ofruar një plan alternativ rindërtimi që do t’i linte palestinezët në vend. Grupet e të drejtave kanë thënë se detyrimi ose presioni ndaj palestinezëve për t’u larguar mund të jetë një krim i mundshëm lufte .

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë thotë se Trump “i qëndron vizionit të tij”.

Duke folur në kushte anonimiteti, zyrtarët amerikanë dhe izraelitë konfirmuan kontaktet me Somalinë dhe Somalilandin, ndërsa amerikanët konfirmuan edhe Sudanin. Ata thanë se ishte e paqartë se në çfarë niveli u zhvilluan diskutimet.

Related Articles

Back to top button
Close
Close