LajmeMaqedoniTopLajm

Pjesëmarrësit në Samitin Bërdo-Brioni theksuan rëndësinë e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, pajtimit dhe stabilitetit

Pjesëmarrësit në samitin e nismës Bërdo-Brioni sot në Durres miratuan deklaratë të përbashkët, duke theksuar se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, stabiliteti rajonal dhe pajtimi janë themeli i së ardhmes evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Pjesëmarrësit në samit, gjithashtu, e theksuan rëndësinë e përballjes së përbashkët me sfidat bashkëkohore të sigurisë, kërcënimet kibernetike dhe pasojat nga ndryshimet klimatike.

Liderët e Ballkanit Perëndimor u mblodhën sot në Durres për samitin e nismës Bërdo-Britoni, tema kryesore e të cilit ishte perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor.

Pjesëmarrësit e samitit në Durrës u pritën nga presidentja sllovene Natasa Pirc Musar dhe presidenti kroat Zoran Milanoviç, si organizatorë, dhe nga presidenti shqiptar Bajram Begaj, si nikoqir.

Në takim morën pjesë edhe presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq, anëtarët e Kryesisë së Bosnjës e Hercegovinës Zhelka Cvijanoviç, Denis Beqiroviq dhe Zhelko Komshiq, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova dhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani.

Në samit, presidentja sllovene Natasa Pirc Musar premtoi mbështetje të mëtejshme për vendet e Ballkanit Perëndimor në procesin e afrimit me Bashkimin Evropian (BE), duke vlerësuar se ky proces duhet të vazhdojë më shpejt, por pa ulur standardet.

Pirc Musar theksoi se përveçse të flasim për të ardhmen, duhet të flasim edhe për të kaluarën.

“Vendet në rajon po ndërtojnë hapësirë ​​për dialog, besim dhe bashkëpunim edhe kur duket se dallimet midis nesh janë vërtet të mëdha. Pa dialog të vërtetë, pa zgjidhur çështjet e hapura dhe pa pajtim – i cili ndoshta është arra më e vështirë për t’u thyer në rajonin tonë – nuk do të ketë përparim të vërtetë”, theksoi ajo.

Sipas Pirc Musar, perspektiva evropiane e Ballkanit Perëndimor është instrumenti më efektiv gjeopolitik për të siguruar stabilitet, paqe dhe siguri.

Samiti i këtij viti Bërdo-Brioni u mbajt nën sloganin “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: së bashku përpara drejt BE-së”, i cili, sipas presidentes sllovene, nuk duhet të jetë vetëm simbolik.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, vlerësoi në samit se nisma Bërdo-Brioni është një mekanizëm kyç për forcimin e dialogut, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe afrimit me BE-në.

Presidenti kroat Zoran Milanoviç theksoi gjithashtu rëndësinë e dialogut që po zhvillohet në këtë samit.

Pjesëmarrësit në samit i kushtuan vëmendje të veçantë zbatimit të planit të BE-së prej gjashtë miliardë eurosh për rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor për periudhën 2024–2027.

Sipas presidentit, Sllovenia duhet të mbështesë fuqimisht zbatimin e këtij plani, por gjithashtu pret që të gjitha vendet në rajon ta njohin këtë mundësi dhe të zbatojnë reformat e nevojshme.

Pas takimit, Pirc Musar theksoi se një numër i madh i të rinjve po largohen nga rajoni për shkak të mungesës së mundësive, prandaj është përgjegjësi e përbashkët e vendeve të krijojnë kushte për vende pune cilësore dhe një mjedis shoqëror tërheqës.

Pikërisht kjo ishte tema e takimit të mbajtur përpara samitit të liderëve nga drejtorët e shërbimeve të punësimit nga vendet pjesëmarrëse në procesin Bërdo-Brioni, Ata u zotuan për bashkëpunim më të ngushtë në përafrimin e arsimit me nevojat e tregut të punës dhe në programet e kthimit të talenteve.

Procesi Bërdo-Brioni është nismë e përbashkët slloveno-kroate, anëtarët e së cilës janë Shqipëria, Serbia, Bosnja e Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

Related Articles

Back to top button
Close
Close