
Pas shkarkimit të një pjese të komandës ushtarake amerikane, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, vazhdon me shkurtimet e personelit civil në Pentagon, duke larguar 5400 nëpunës.
Me këtë shkurtim, ka nisur procesi i racionalizimit, i cili parashikon shkarkimin e 5 deri në 8 për qind të personelit të përgjithshëm.
Hegseth ka sugjeruar se këto shkurtimet synojnë “maksimizimin e efikasitetit dhe produktivitetit”, raporton cnn.
Ai ka sqaruar se fondet e kursyera nga këto shkurtime do të ridrejtohen në sektorë të tjerë të qeverisë federale, ku konsiderohet se janë më të nevojshme.
“Thjesht nuk është në interesin publik të mbahen individë, kontributet e të cilëve nuk janë kritike për misionin. Është e domosdoshme të rikthejmë përgjegjshmërinë brenda fuqisë punëtore”, ka përfunduar Hegseth.



