LajmeMaqedoniOpinion

PERSONAZHI KRYESOR I QYTETIT TONË

Shkruan:

Sulejman Mehazi

Askush s’ka të drejtë t’i dalë zot Tetovës, përveç personazhit kryesor të këtij qyteti, Lalë Rahim Voka. S’ju lejohet aspak të lëvdohen për të bëmat e tyre, as komandantët e luftës së UÇK-së, më 2001-n, as partitë politike që çdo herë ua marrin votat tetovarëve me çallamet e veturave, veshjeve e shtëpive të bukura të tyre, as pasanikët e paktë të Tetovës nuk guxojnë t’i dalin zot qytetit, as do farë intelektualë të mjerë që mundohen kot ta tregojnë veten, s’kanë të drejtë, as prefektura e Tetovës s’ka të drejtë t’i dalë zot Tetovës, përveç Lalë Rahim Voka, me atë pamjen fizike epike, fjalët e mendimet e çuditshme, me mjekrë e flokë të gjata të thinjura skënderbegiane, me atë shqiponjën e tij 24 orëshe vënë mbi këmishë e shpatulla gjatë stinëve të nxehta, me flamurin dykrerëshe të shqiponjës, mbështjellur mbi tërë trupin e tij të dobët, të vogël e të mplakur, vënë mbi kaputin unik gjatë stinës së dimrit. Derisa të tjerët shtiren se e duan flamurin e Skënderbeut, po, për përfitimet e tyre materiale, pasurore, ky nuk i takonte këtij grupi mashtrues e korruptues, jo, jo La Rahim jeton pandarë me flamurin e kuq e me shqiponjën korb të zezë 24 orëshe, është person i idealeve të larta kombëtare e humane. Askush në pellgun e Tetovës nuk mund t’ia dalë, sakrificat të shumta kombëtare e kanë bërë madhështor, legjendar; dy herë i burgosur në Shqipëri e në Ish-jugosllavi, në të dy rastet me më shumë se dhjetë vjet burg, gjatë luftës së 2001, vullnetarisht bëhet ushtar i UÇK-së, ku betohet para flamurit me lot e pushkë në dorë duke brohoritur: “Rroftë Shqipërimadhja, Rroftë Flamuri kuqezi! Rroftë Përkrenarja e Bridhisë në kokën e Skënderbeut! Rroftë vendlindja e Skënderbeut, Shpella e Hisarit! Rroftë qyteti i nënës së Skënderbeut, Oeneum! Pas luftës së dështuar të 2001, Lalë Rahimi nga inati i patriotizmit dhe dashurisë së thellë ndaj kombit, flamurit dhe trojeve shqiptare, ai, shpall zonën e tij të lirë mbi qytetin e Tetovës, me një territor disa mijë metërshe që kap Banjën e Tetovës, Hidrocentralin, Teqenë e Shipkovicës, Gurin e Shqipes(Panjovicës), në këtë shkëmb të lartë valon flamuri shqiptar. Qendra kryesore e Zonës së Lirë Shqiptare e Lalë Rahimit është Shpella e Hisarit. Kjo Shpellë është rezidenca e Lalë Rahimit. Çdo mëngjes e mbrëmje, këtu, ai betohet e lutet para flamuri Kombëtar, duke kërkuar mirësi, urtësi, urata e liri të përbashkët për të gjitha trojet shqiptare. La Rahim nuk është përkulës e nuk kërkon lëmoshë nga askush, ai vetvetiu shpall zonën e lirë shqiptare me kufijtë e vet pa ndihmën e partive politike dhe komandantëve, ai s’kërkon lirinë e shqiptarëve nga maqedonasit, po nga vetvetja, edhe pse është rast e me statut social, por kurrë s’kërkon ndihmë nga asnjë njeri e institucion, La Rahim është legjendë e gjallë shqiptare e shek. XXI.

P.S.
Nuk do ishte e ndershme të mos e njoftojmë opinionin, se Lala Rahim Voka, pas daljes nga burgu ish-jugosllavisë, kah vitet 90-ta, pas prishjes së dy sistemeve shtetërore komuniste, me idetë e veta interesante propozonte që ylli pesëcepëshe komuniste vënë në flamurin tonë kombëtar, duhej hequr, e zëvendësuar me përkrenaren dy brinjëdhishë të Skendërbeut. Më vonë, pa dije apo me dijen e qeverisë së atëhershme demokratike të Republikës së Shqipërisësë, u realizua propozimi i tij, me vënien e përkrenares së Skënderbeut në flamurin tonë kombëtar.

23. mars 2017
Tetovë

Related Articles

Back to top button
Close
Close