LajmeMaqedoniOpinion

Për dikë ‘nënë’, për dikë ‘njerkë e shkuar njerkës’!

Nga: Sali Shasivari
Derisa po vëzhgoja përmes ekraneve pamjet dhe insertet e sjelljeve histerike, çorroditëse, agresive, dhe të dhunshme që ushtroheshin nga ana e ultranacionalistëve, ekstremistëve, banditëve, dhe huliganëve maqedonas gjatë protestave të fundit në lidhje me kontestin bullgaro-maqedon dhe propozimin francez, si dhe, derisa po ndiqja përmes lajmeve reagimet e ‘përmbajtura’ të policisë dhe deklaratat ‘qetësuese’ të përfaqësuesve politikë (duke përfshirë këtu edhe ata shqipfolës) përkitazi me këto ‘protesta’…; përnjëçast, më shkoi mendja në lidhje me atë se, a thua vallë, çfarë do të ndodhte po qe se protestuesit do të ishin shqiptarë…?!
Vetë mendimi si i tillë më trishtoi dhe më bëri të shtangem…! E, sa për përgjigjen ndaj pyetjes së lartëpërmendur, unë, e, besoj edhe lexuesit e nderuar, vetëm mund ta imagjinojmë ‘grushtin e hekurt’ me të cilin do të goditeshin ‘shqiptarët e ngratë’ nga aparaturat e shtetit dhe pushtetit, si dhe, vetëmse mund ta marim me mend retorikën demonizuese dhe linçuese me të cilën do të përballeshin nga ana e regjimit dhe garniturës politike, duke përfshirë këtu edhe politikanët shqipfolës…!
Vetëm parafytyrimi i një realiteti të këtillë të trishtë mjafton për të kuptuar gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhen shqiptarët autoktonë dhe shtetformues të kësaj sajese të çuditshme të quajtur Maqedoni e Veriut…!
E, sa për padrejtësitë, kutet e shumëfishta, diskriminimin, shtypjen, dhunën, respresaljet, kulturocidin, etnocidin, etj., që po ushtrohet ndaj shqiptarëve të këtij nënqielli… ‘fol, e mos u turpëro’…!!!
E, kur kësaj tragjedie dhe çorrodie ia shton edhe faktin se, përreth gjithë këtij nënçmimi, nënshtrimi, dhe ndëshkimi që po ushtrohet ndaj shqiptarëve të këtyre trojeve…; të njejtët, shfrytëzohen si ‘objekt’ për të shfryrë konfuzitetin, pakënaqësitë, dhe urrejtjen e akumuluar ndaj ‘fqinjëve problematikë’; me ç’rast, shqiptarët mallkohen dhe shahen edhe për ‘bëmat’ e popujve / shteteve fqinje, si, bie fjala, për mohimin serb të Kishës Autoqefale Maqedonase, për mohimin bullgar të gjuhës maqedonase, si dhe për mohimin grek të identitetit maqedonas…! Kur ke parasyshë gjithë këtë absurditet, paradoks, idiotësi, dhe çmenduri, atëherë kupton faktin se, ‘aty ku mbaron logjika, fillon emri Maqedoni’…; dhe se, në realitet, bëhet fjalë për ‘urrejtje patologjike’, ‘sjellje agresive’, dhe ‘histeri kolektive’…; simptome këto, të cilat kërkojnë trajtim serioz…!
Mirëpo, në gjithë këtë ‘dramë maqedonase’, e cila po ‘reprizohet’ tashmë dekada me rradhë…; ata që bien më së shumti në sy, janë pikërisht ‘protagonistët’ shqipfolës, të cilët kanë parapëlqyer ta luajnë ‘rolin e statistit’, në këtë ‘dramë të përgjakur tragjikomike’ që po luhet para publikut të gjerë shqiptar për vite të tëra…!
Këta aktorë ‘amatorë’, të cilët, me vetëdije apo pa vetëdije janë bërë pjesë e kësaj ‘drame të përgjakur’, tashmë vite me rradhë, ‘publikut shqiptar’ po i ofrojnë ‘inserte’ dhe “shfaqje” nga më neveritëset…; ndërsa, ata vetë, si ‘palaço’ që janë, përpos që po sillen sikurse ‘shurdhmemeci në dasëm’, të njejtët, po marrin rroga dhe benefite të majme për rolin e tyre ‘kukull’ në këtë teatër të shëmtuar…!
Për të qenë ironia edhe më e madhe… Këta ‘interesxhi’, të cilët, dje u pajtuan që identiteti i tyre – dhe i popullit që përfaqësojnë – të mos jetë pjesë e preambulës kushtetutare si popull shtetformues, si dhe, u pajtuan që gjuha e tyre – dhe e popullit që përfaqësojnë – të ‘pagëzohet’ si ‘gjuhë e njëzetpërqindëshit’…; të njejtët ‘shokë’ të djeshëm, që sot janë bërë ‘zotëri’, janë inkarnuar në ‘Boro e Ramizë’ e ‘Boshko Buhë’, duke e vënë vehten herë në rolin e ‘mbrojtësve të paqes dhe stabilitetit’, herë në rolin e ‘mbrojtësve të shtetit dhe multinacionalitetit’, herë në rolin e ‘mbrojtësve të demokracisë dhe vlerave evropjane’, e herë në rolin e ‘shpëtimtarit të Ballkanit, Evropës dhe botës në tërësi’… Ndërsa, të mjerët, nuk e kuptojnë faktin se po dalin aq qesharak dhe të shëmtuar, sa që janë bërë ‘gazi i botës’…!
E, kur këtyre qëndrimeve të ‘palaçove provincial’ ua shton qëndrimet e ‘kryepalaçove’ të ‘mëmëdheut’ shqiptar, e, me theks të veçantë, qëndrimin e ‘kryepalaços’ aktual, i cili, ka zgjedhur të luaj rolin e mbrojtësit të Serbisë, të Maqedonisë, të Bullgarisë, të ‘krajlisë’, të ‘rumelisë’, si dhe çdo ‘i-së’ tjetër, përpos mbrojtjes së interesave të shqiptarisë…; me ç’rast, kurrë nuk dëgjuam asnjë zyrtar të lartë të ‘mëmëdheut’ shqiptar – duke përfshirë këta aktual – ta ngrejë zërin apose të shpall ultimatum përkitazi me shqiptarët e ‘shqipërive’ të cunguara dhe të ‘dhunuara’, ashtu siç duhej, siç pritej, dhe siç shpresohej… Në këtë rast, kupton se, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut – sikurse edhe shqiptarët e viseve tjera – janë popull jetim, pa ‘atdhe’ dhe pa ‘mëmëdhe’…, dhe se, klikat e tyre politike nuk janë ‘as hejri taurkit, as sherri i shkavit’; ngase, të njejtët, për të huajt bëhen ‘nënë’, ndërsa, për bijtë e gjakut dhe fisit sillen si ‘njerkë e shkuar njerkës’!!!
Kjo, ngase, një njeri që nuk solidarizohet me familjen dhe fisin e vet, le shumëçka për të dyshuar përkitazi me solidarizimin e tij karshi të tjerëve më të largët…!
Në momentin që shqiptarët e trojeve etnike do ta kuptojnë këtë të vërtetë të hidhur, atëherë ata do ta kuptojnë edhe faktin se, para tyre qëndron një zgjidhje e vetme, e, ajo është: kthimi i gjërave në duart e tyre dhe ngritja në këmbë si një trup i vetëm…; kjo, me qëllim të mbrojtjes së kauzës së tyre të drejtë, të drejtave të tyre të natyrshme, si dhe interesave të tyre jetike dhe vitale… Ngase, ‘të drejtat nuk falen, por fitohen’…
E, në këtë aspekt, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut – po besa edhe ata të trojeve tjera etnike – nuk është keq që të marin mësim edhe nga bashkëqytetarët e tyre maqedonas përkitazi me atë se si mbrohet identiteti, gjuha, dinjiteti, dhe interesat…; kjo, përreth dallimit substancial përkitazi me nocionet dhe çeshtjet në fjalë…; si dhe, jo domosdoshmërisht përmes të njejtave metoda dhe mënyra…
Përndryshe, duke ndenjur këmbëkryq, duke thurrur elozhe, dhe duke ‘ëndërruar syhapur’ se integrimi ynë si komb në instancat euro-atlantike do t’i zgjidhë të gjitha hallet tona…, është sa deluzioniste, po aq edhe vetëmashtruese…!
Andaj, le të dëshmojmë në vepër se, ‘koha është e maskarenjve, por atdheu është i shqiptarëve…!
‘Acta non verba’ (kërkohen veprime, e jo fjalë)…!

Related Articles

Back to top button
Close
Close