Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë të shtunën se nuk do të ketë armëpushim të përhershëm në Rripin e Gazës, pa u shkatërruar kapacitetet qeverisëse dhe ushtarake të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
“Kushtet e Izraelit për t’i dhënë fund luftës nuk kanë ndryshuar: shkatërrimi i kapaciteteve qeverisëse dhe ushtarake të Hamasit, lirimi i të gjitha pengjeve dhe garancia se Gaza nuk përbën kurrë më kërcënim për Izraelin”, tha Netanyahu.
“Nuk ka asnjë shans që Izraeli të pajtohet për armëpushim të përhershëm, pa u plotësuar këto kushte”, shtoi ai.
Ndërkohë, Hamasi tha se është i gatshëm të angazhohet “pozitivisht dhe në mënyrë konstruktive” për çfarëdo propozimi që parasheh armëpushim të përhershëm, tërheqjen e forcave izraelite, rindërtimin e Gazës, kthimin e të zhvendosurve, dhe një shkëmbim “të mirëfilltë” të të burgosurve, “nëse Izraeli njofton qartazi se është i përkushtuar për marrëveshje të tillë”.
Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi nga Hamasi në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.
Izraeli thotë se më shumë se 100 pengje po mbahen ende në Gazë, së bashku me trupat e pajetë të rreth 30 të tjerëve.
Prej atëherë, lufta izraelite në Gazë i ka vrarë më shumë se 36.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë./REL



