
Ylli i Chelsea-t, Cole Palmer, u shpreh i entuziazmuar pas fitores bindëse 3-0 kundër Paris Saint-Germain në finalen e Kupës së Botës për Klube, ku ai shënoi dy gola dhe u shpall lojtari i ndeshjes.
“Është një ndjesi fantastike”, tha mesfushori anglez pas ndeshjes.
“Akoma më mirë sepse të gjithë na kishin nënvlerësuar para ndeshjes, ne e dinim këtë. Të japësh një paraqitje si kjo, është një ndjesi e shkëlqyer. Më pëlqejnë finalet dhe ja ku jemi përsëri”, ka theksuar Palmer.
Të dy golat Palmer i shënoi nga krahu i djathtë i mesfushës, duke ndjekur saktësisht planin taktik të trajnerit Enzo Maresca.
“Trajneri hartoi një plan loje fantastik,” pohoi Palmer.
“Ai e dinte se ku do të kishte hapësira. U përpoq të më lironte sa më shumë në fushë dhe unë thjesht duhej t’ia shpërbleja me gola”, përfundoi ai.
Palmer lavdëroi punën që po bën trajneri Maresca.
“Trajneri po ndërton diçka të veçantë, diçka të rëndësishme. Gjatë gjithë sezonit janë thënë shumë fjalë të këqija për ne, por ndjej se po ecim në drejtimin e duhur”, përfundoi mesfushori anglez.



