Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka vizituar kompaninë fintech nga Zvicra Numarics, e cila tashmë është me zyrë në Kosovë, e që fokusohet në çështjet e administrimit të biznesit, me klientelë zvicerane.
Osmani gjatë vizitës së saj në një intervistë për Telegrafin ka thënë se Numarics jep shembuj inspirues për gjithë rininë e Kosovës.
Presidentja ka vënë në dukje historinë e themeluesit të Numarics, Kristian Kabashit, i cili u rikthye nga Zvicra për të investuar në Kosovë.
“Kompania Numarics jep dy shembuj shumë inspirues për gjithë rininë e Kosovës, për gjithë profesionistët të cilët duan të angazhohen në këtë fushë, dhe jo vetëm të kenë suksese individualisht por, edhe ta shtyjnë shtetin përpara. Shembulli i parë që mendoj që duhet vërtetë të frymëzojë secilin të ri e të re të mërgatës sonë është pikërisht shembulli i Kabashit, i cili është kthyer nga Zvicra për të investuar në Kosovë së bashku me shumë të rinj e të reja nga Zvicra, nga SHBA-të, të cilët kanë lënë mundësi të jashtëzakonshme që i kanë pasur në ato shtete por, kanë ardhur këtu për të krijuar vende të reja të punës dhe për të investuar në një sektor ku ofrojnë kualitet shumë të madh dhe ky kualitet është konfirmuar edhe më çmime të shumta që i kanë marr edhe brenda vendit, por edhe në Zvicër e përtej”, tha ajo.