Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani sot mori pjesë në një diskutim të hapur për bashkësponsorizimin e rezolutës së OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë nga Maqedonia e Veriut, ku theksoi se dënimi dhe kujtimi i gjenocidit të njohur ndërkombëtarisht në Srebrenicë është detyrë njerëzore, njoftojnë nga MPJ.
Njëherit, Osmani theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut ka vendosur jo vetëm ta mbështesë, por edhe ta bashkësponsorizojë rezolutën e Kombeve të Bashkuara për të kujtuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë.
Në diskutimin e sotëm të hapur me temën: “Maqedonia e Veriut është bashkësponsoruese e rezolutës së OKB-së për kujtimin e viktimave të gjenocidit në Srebrenicë”, Osmani, thuhet në njoftimin e MPJ-së, hodhi poshtë akuzat se qëllimi i këtij akti të Ministrisë është përkeqësimi i marrëdhënieve bilaterale të shtetit me Serbinë fqinje, duke pretenduar se bëhet fjalë për qëndrimin e shtetit ndaj krimit kundër njerëzimit që institucionet kompetente ndërkombëtare e kanë cilësuar si gjenocid dhe se si i tillë nuk duhet mohuar.
“Luftërat në Ballkan kanë përfunduar dhe vendet e rajonit kanë nevojë për pajtim”, theksoi Osmani, duke i apeluar Serbisë dhe Bosnje Hercegovinës që të ndjekin shembullin e Gjermanisë dhe Francës pas Luftës së Dytë Botërore.
Në diskutim përmes video-fjalimit mori pjesë edhe Ministri i Punëve të Jashtme të Bosnjë dhe Hercegovinës, Elmedin Konakoviq, i cili e falënderoi Maqedoninë e Veriut për bashkësponsorizimin e rezolutës, i bindur se shpallja e 11 korrikut si ditë përkujtimore do të kontribuojë ndjeshëm në paqen dhe sigurinë e rajonit dhe do të forcojë besimin në institucionet e Kombeve të Bashkuara, për të cilat, sipas tij, ka nevojë bota.
“Më lejoni t’ju kujtoj gjenocidin e kryer në korrik 1995 në zonën e sigurt të mbrojtur të Kombeve të Bashkuara, Srebrenicë. Më shumë se 8000 djem dhe burra u vranë brutalisht, 1000 u zhvendosën me forcë, familje të tëra u shkatërruan bashkë me shtëpitë e tyre. Autorë të shumtë u sollën para drejtësisë dhe krimi më i tmerrshëm, vrasja sistematike e popullsisë boshnjake në zonën e mbrojtur të Srebrenicës, u njoh ligjërisht si gjenocid nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dhe Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë. Dhe kurrë nuk duhet t’i nënshtrohet interpretimeve të ndryshme. Kjo u pranua nga njerëzit përgjegjës që zbatojnë politika të përgjegjshme në Maqedoninë e Veriut”, tha Konakoviq.
Në diskutim, me qëndrimet e tyre morën pjesë edhe Kryetari i Këshillit Nacional Boshnjak, Xhevad Hot, aktivistja civile, Mersiha Smajloviq dhe avokatja, Edina Zekiroviq Fazllagiq, të cilët përveç falënderimit ndaj Ministrin Osmani për vendimin për bashkësponsorizimin e rezolutës, gjithashtu shprehën pikëpamjet e tyre se pse ky është një vendim i drejtë dhe folën poashtu për rëndësinë e caktimit të një dite për ta përkujtuar masakrën e Srebrenicës.