LajmeRajon

Një orë deri në Tiranë, por dy orë në kufi

Një ndikim të madh për rritjen e frekuentimit, siç theksuan këshilltarët, është afërsia e Dibrës me Tiranën nëpërmjet Rrugës së Arbrit, e sidomos pas lëshimit me punë të tunelit të Murrizit me që tani për në Tiranë udhëtohet vetëm për 60 minuta me që gjatësia është 71 kilometër. Këshilltari Shkëlqim Xhafa ka theksuar se për një orë udhëtohet nga Dibra në Tiranë, por afro 2 orë pritet në vendkalimin kufitar “Blatë”

Këshilli komunal i Dibrës do të kërkojë nga institucionet qendrore kompetente të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, të ndërmarrin aktivitete të përshpejtuara për të vendosur një regjim të ri në vendkalimin kufitar “Bllatë” në afërsi të Dibrës, me qëllim që të tejkalohen radhët shumë të gjata të automjeteve në të dy anët e kufirit. Kjo mes tjerësh u vendos në seancën e fundit të Këshillit, vendim i cili mori përkrahje nga të gjithë këshilltarët e të gjitha partive politike. Kryetari i Këshillit, Fuat Spahiu ka informuar se pas hapjes së tunelit të Murrizit në Rrugën e Arbrit dhe uljes drastike të çmimit të kartonit të gjelbër nga ana e Shqipërisë për shtetasit shqiptarë, është dyfishuar frekuenca e udhëtarëve në vendkalimin kufitar, i cili është afër Dibrës. Kjo ka ndikuar edhe në rritjen e frekuencës edhe në qytetin e Dibrës. Regjimi i ri me kontrolle të përbashkëta në këtë vendkalim kufitar do të lehtësojë frekuencën në kufi, ka thënë Spahiu.

Në debatin rreth kësaj çështje, këshilltarët ishin të mendimit se patjetër duhet të ndërmerren aktivitete të shpejta nga institucionet kompetente nga të dyja vendet fqinje. Kryetari i Dibrës, Hekuran Duka para këshilltarëve ka theksuar se për nevojën e lehtësimit të frekuentimit në vendkalimin kufitar “Bllatë” ka biseduar edhe me Ambasadorin e Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani gjatë një vizite që ai ka patur në Dibër. Ai është shprehur se frekuentimi tani është shumë i madh dhe nevojitet regjim për lehtësim të kalimit në kufi. Ai shtoi se organet kompetente duhet të ndërmarrin masa në këtë drejtim dhe problemi mund të zgjidhet edhe me kontroll të përbashkët, që do të thotë një pikë kontrollimi. Duhet të theksojmë se kryetari Duka ka biseduar edhe me kryetarin e bashkisë Peshkopi, Rahim Spahiu për këtë problem dhe për mundësinë që të ketë një kontroll në vendkalimin kufitar “Bllatë” ashtu siç është edhe në vendkalimin kufitar “Qafëthanë”.

Në debat këshilltarët ishin të njëzëri se frekuentimi pritet të rritet sidomos gjatë sezonit veror. Të dhënat zyrtare thonë se vetëm gjatë vikendit të fundit janë regjistruar mbi 11 mijë udhëtarë në dy anët e kufirit, gjë që deri tani nuk ka ndodhur. Një ndikim të madh për rritjen e frekuentimit, siç theksuan këshilltarët, është afërsia e Dibrës me Tiranën nëpërmjet Rrugës së Arbrit, e sidomos pas lëshimit me punë të tunelit të Murrizit me që tani për në Tiranë udhëtohet vetëm për 60 minuta me që gjatësia është 71 kilometër. Këshilltari Shkëlqim Xhafa ka theksuar se për një orë udhëtohet nga Dibra në Tiranë, por afro 2 orë pritet në vendkalimin kufitar “Blatë”.

Po ashtu, sipas këshilltarëve, tani ka rritje të madhe edhe të frekuentimit të shtetasve shqiptar, por edhe të banorëve nga Shkupi, Tetova, Gostivari në qytetin e Dibrës. Prandaj, sipas tyre kërkohet edhe parkingje të reja në Dibër, dhe regjim i ri në komunikacion. Sipas këshilltarëve, Dibra duhet të sheh edhe mundësitë për një rrugë qarkore që të shpije drejt kufirit me Shqipërinë. Rrugët ku kalojnë maunet e mëdha në qytet janë të ngushta dhe paraqesin rrezik për kalimtarët. Normalisht, tejkalimi i problemeve duhet të jetë i shpejtë, me që rritja e frekuentimit në qytet sjell edhe mundësi më të mëdha ekonomike për biznesin në Dibër.

Related Articles

Back to top button
Close
Close