
Projekte për shumë mundësi për përparimin e rinisë, ushqim falas për nxënësit, bursa për më të mirët, investime në ekologji dhe zgjidhje të rrëmujës së trafikut, premtuan kandidatët për kryetarë të komunave në mitingjet e mbrëmshme. Liderët e partive politike u kthyen edhe në gjendjen aktuale në vend, duke u bërë thirrje qytetarëve masovikisht të dalin më 17 tetor.
Bashkimi Demokratik për Integrim e prezantoi agjendën e gjelbër para banorëve të Sarajit ku lideri i partisë Ali Ahmeti porositi se bëhet fjalë për agjendë të kohës.
Nga “BESA” premtuan kthim të besimit të qytetarëve në komuna dhe bashkëpunim ndërmjet kryetarit të komunës dhe këshillit.
Për liderin e Aleancës për Shqiptarët Zijadin Sela, këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme sepse komunat janë dera e parë në të cilën drejtohen qytetarët për çdo lloj problemi.
Lideri i LSDM-së Zoran Zaev në mitingun në Strugë tha se pushteti aktual investon në projekte reale dhe të sigurta, shtoi se opozita ofron paralajmërime konfuze për disa projekte, të cilat janë të pasigurta.
Për Ohrin, i cili është nën mbrojtje të UNESKO-s, paralajmëroi menaxhim të qëndrueshëm me trashëgiminë kulturore sipas rekomandimeve të UNESKO-s.
Porosi për krijimin e një të ardhme të re dhe hapje të mundësive për të gjithë qytetarët paralajmëroi VMRO-DPMNE. Lideri i partisë Hristijan Mickovski nga Prilepi tha se duhet të rregullohen shumë punë të cilat në katër vitet e fundit ishin të gabuara.
Pas zgjedhjeve lokale, tha ai, pritet shumicë e re parlamentare dhe zgjidhje e problemeve, mes të cilave edhe kriza energjetike.
Një javë para zgjedhjeve partitë politike dhe kandidatët sot i vazhdojnë aktivitetet parazgjedhore. Bashkimi Demokratik për Integrim do të mbajë mitingje parazgjedhore në Likovë dhe Kumanovë, ndërsa BESA në Bërvenicë, Reçicë të madhe. Koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja do të jetë në Debërc, Makedonski Brod, Dollnen, Prilep dhe Krushevë, ndërsa koalicioni i udhëhequr nga VMRO-DPMNE-ja do t’i vizitojë Vasilevën, Bosilovën dhe Novo Sellën, Partia “E Majtë” do të mbajë mitingje në komunën Aerodrom, PLD dhe RDM në Shuto Orizare dhe Petrovec, ndërsa “Partia yte” do të mbajë takime me qytetarët e Shkupit.
Në mesnatë përfundon afati i paraqitjes për votim të personave të sëmurë dhe të pafuqishëm, ndërsa afati për personat me Kovid-19 ose në vetizolim është deri nesër në mesnatë. Këto persona, si dhe të burgosurit, personat në paraburgim, në shtëpi të pleqve dhe personat shpërgulës të brendshëm do të votojnë një ditë para zgjedhjeve gjegjësisht të shtunën më 16 tetor. Për vërtetim të identitetit dhe kontrollit nëse kanë votuar, për to nuk do të shfrytëzohen pajisjes për identifikim biometrik, por spërkatës dhe llambë UV.



