LajmeMaqedoniTopLajm

Nis hetimi ndaj tre shtetasve turq për zhvatje në Shkup

Prokuroria Themelore Publike Shkup ka lëshuar Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore kundër tre shtetasve të Turqisë, të cilët dyshohen për veprën penale – Zhvatje, sipas nenit 258 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal.

Të dyshuarit, duke vepruar në grup dhe me kërcënime serioze ndaj jetës, e kanë detyruar një bashkëqytetar të tyre – shtetas turk – t’u paguajë 40.000 euro.

I dëmtuari kishte ardhur në Maqedoninë e Veriut më 6 shtator, me qëllim të hapjes së një kompanie në fushën e ndërtimtarisë dhe IT-së. Sipas hetimeve fillestare, personi i parë i dyshuar, që aktualisht ndodhet në Dubai, e ka kontaktuar përmes një aplikacioni mobil, duke i bërë presion dhe duke i kërkuar para në shumën deri në 70.000 euro. Ai ka dërguar edhe mesazhe kërcënuese, duke i thënë se do ta gjente dhe do ta vriste edhe në Maqedoni nëse nuk vazhdonte të paguante.

Më 28 shtator, në vend kanë arritur dy të dyshuarit e tjerë, prej të cilëve njëri është nipi i të dyshuarit të parë. Ata menjëherë kanë kontaktuar të dëmtuarin me qëllim që të marrin paratë.

Takimi është zhvilluar në një qendër tregtare në Shkup, ku viktima u ka dorëzuar një zarf me para të shënuara. Menjëherë pas marrjes së zarfit, dy të dyshuarit janë arrestuar nga policia.

Për shkak të rrezikut të ikjes, ndikimit të mundshëm ndaj dëshmitarëve ose fshehjes së provave, prokurori publik ka propozuar masën e paraburgimit për dy të arrestuarit. Ndërkohë, ndaj të dyshuarit të parë janë duke u ndërmarrë masa për ta lokalizuar dhe për të siguruar pjesëmarrjen e tij në procedurën e mëtejshme.

Related Articles

Back to top button
Close
Close