
Në Koçan sot, prindërit e viktimave të zjarrit në disko-klubin “Pulse” mbajtën një tjetër “Marsh për engjëjt”, duke dërguar mesazh deri te institucionet e drejtësisë se presin drejtësi të vërtetë për të ndjerët.
“Mos lejoni që dhimbja dhe zemërimi të bëhen edhe më të mëdha, sepse nëse institucionet vazhdojnë të heshtin, njerëzit do ta humbasin besimin në sistem. Kryeni detyrën tuaj — jo për ne, por për fëmijët tanë dhe për të ardhmen e të gjithë atyre që nesër do të duan të jetojnë në një shtet me drejtësi të vërtetë,” thanë prindërit e të ndjerëve të “Pulse” në fjalimin e tyre para mediave.
Para ndërtesës së Gjykatës Themelore, një nënë e një fëmije të ndjerë, në emër të të gjithë pjesëmarrësve në marsh, kritikoi Prokurorinë Publike se kjo institucion nuk ka reaguar ndaj faktit që, tashmë tre javë më parë, u janë dorëzuar prova se një nga të dyshuarit është takuar me një prind të dëmtuar — gjë që, sipas tyre, paraqet rrezik real për ndikim ndaj dëshmitarëve dhe të dëmtuarve, si dhe për rrezikimin e tërë procesit dhe drejtësisë së tij. Ata paralajmëruan se brenda një jave presin një përgjigje të qartë dhe konkrete për masat e ndërmarra pas dorëzimit të provave; përndryshe, thanë se do të ndërmarrin aksione më të forta publike dhe të organizuara.
Seanca e parë gjyqësore për zjarrin në disko-klubin “Pulse” do të mbahet më 19 nëntor. Të akuzuar janë 34 persona fizikë dhe tre persona juridikë, të cilët ngarkohen me veprën penale “vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme”. Sipas informacioneve nga Gjykata Penale e Shkupit, seanca do të mbahet në sallën e burgut të Idrizovës, ndërsa rasti, sipas sistemit AKMIS, i është caktuar gjyqtares Diana Gruevska-Ilievska. Në zjarrin në disko-klubin në Koçan, që ndodhi më 16 mars të këtij viti, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u plagosën.


