
Së pari ishte një premtim parazgjedhor i Bashkimit Demokratik për Integrim, e më pas u bë pjesë e marrëveshjes partiake kur u formua qeveria e koalicionit mes BDI-së dhe LSDM-së, dhe tashmë është realitet, ku në muajt e ardhshëm deri në zgjedhje dhe në formimin e qeverisë së re, në krye të Qeverisë teknike do të jetë Talat Xhaferi, i cili do të shënohet në analet e historisë së re të Maqeedonisë, si kryeministër i parë I kombësisë shqiptare.
Çfarë do të thotë kjo për vendin tonë, për shoqërinë tonë të ngarkuar shpesh me shumë çështje të natyrës etnike, është një temë që është dhe do të jetë prezente edhe në të ardhmen. Me këto zgjedhje, a thyhen tabutë, siç trajtohet shpesh, a është shprehje e pjekurisë së shoqërisë, si dhe nga kjo a po humb apo fiton vendi ynë… këto janë temat e kësaj bisede të shkurtër për portalin politico.mk me Stole Naumovin, redaktor dhe gazetar në Kanal 77.
-Zgjedhja e një shqiptari kryeministër i vendit tonë a i thyen disa paragjykime?
– Sigurisht që nga njëra anë kapërcehen, por nga ana tjetër “prodhohen” paragjykime të reja tek një pjesë e caktuar e qytetarëve. Por është e kuptueshme dhe e pritshme si çdo çështje dhe ndryshim i ri njerëzit do ta pranojnë si normale me kalimin e kohës dhe jo si rrezik dhe frikë. Në fund të fundit, kur Talat Xhaferi u zgjodh për herë të parë kryeparlamentar, pati reagime të ashpra në publik dhe në Kuvend. Herën e dytë nuk ishte as lajm. Amplituda e reagimeve dhe kohëzgjatja e tyre sigurisht që do të varen nga sjellja e kryeministrit, pra nga ajo sa do të insistojë, për shkaqe romantike, por në radhë të parë për arsye parazgjedhore partiake, tek shqiptarizma dhe sa do ta ndjekë punën e rregullt të kryeministrit.
– A po fiton Maqedonia një “Obama maqedonas” me Talat Xhaferin?
– Kështu thoshin nëse ju kujtohet edhe për Imer Selmanin, kur ishte kandidat për president dhe kur fitoi një numër të konsiderueshëm votash nga maqedonasit. Rishi Sunak dhe Hamza Jusuf nga Skocia le ta quajnë si të duan, si dhe Trump, por le ta bëjë punën e tij ashtu siç di më mirë ai.
-A po humb diçka Maqedonia me një kryeministër shqiptar?
Kryeministri shqiptar është shtetas i Maqedonisë dhe vendi dhe atdheu i tij është Maqedonia, si çdo maqedonas, boshnjak, serb, vllah, rom, ka të drejtë të zgjedhë, të zgjidhet dhe ka detyrim të kujdeset për zhvillimin dhe përparimin e vendit të tij dhe të mirëqenies së qytetarëve. Maqedonia do të humbasë nëse punon keq, nëse korrupton, vjedh dhe kjo vlen për të gjithë kryeministrat, ministrat, presidentët dhe zyrtarët e tjerë…
–Sa do të ndikojë kryeministri shqiptar në lojalitetin ë dhe kohezivitetin në shoqëri?
– Do të ndikojë në lojalitet dhe kohezivitet nëse ai sillet si mbipartiak, qytetar dhe me drejtësi, nëse nuk shpërdoron detyrën për qëllime personale dhe partiake. Nuk është hera e parë për Talat Xhaferin dhe besoj se i ka kapërcyer ‘sëmundjet e fëmijërisë’ nga pasioni dhe euforia romantike duke insistuar me çdo kusht dhe me çdo rast për një flamur etnik, gjuhë, shqiptarizëm etj..
Kështu duhet të duket e ardhmja jonë në të cilin secili mund të jetë kryeministër dhe president nëse punon për të mirën e Maqedonisë dhe nëse kjo njihet dhe vlerësohet nga qytetarët dhe sigurisht nga partitë përmes performancave dhe negociatave të koalicionit, që do të nënkuptonte promovimin e ideologjive, programeve ekonomike dhe të gjitha reformat dhe vlerat e tjera dhe jo të shenjave dhe kampeve etnike.



