
Kryetari i bordit të Institutit “Octopus”, Agim Musliu ka thënë se nisma e Aleksandar Arsinijeviq për të krijuar të ashtuquajturat “Roje të Lagjes” u prezantua si një rezistencë qytetare dhe jo e dhunshme. Por faktet po flasin ndryshe.
Sipas tij, zbulimi dhe konfiskimi i armëve nga institucionet e sigurisë shpërfaq një realitet shqetësues: qëllimi nuk ishte vetëmbrojtja, por organizimi i celulave të strukturuara me potencial terrorist.
Ndryshe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se armët janë sekuestruar në një objekt që i përket politikanit serb, Aleksandar Arsenijevic, duke e cilësuar këtë arsenal si mjaftueshëm për veprime terroriste.
Sveçla ka deklaruar se politikani serb në Kosovë, Aleksandar Arsenijeviq, të cilit i është gjetur armatim i rëndë ditën e djeshme në Zveçan, nuk ndodhet në Kosovë dhe se është në kërkim nga organet kompetente.



