
Në juglindje të Rusisë, biznesi i Daniilit për dhënien me qira të motobarkave ka hasur në telashe. Kufizimet në shitjen e karburantit nënkuptojnë se flota e tij në rajonet e Rostovit dhe Krasnodarit është e bllokuar, tha ai në një postim në rrjetet sociale: “Në çdo pikë karburanti më thonë të shporrem”.
Problemi i Daniilit është se, në shumë raste, klientëve u ndalohet të mbushin karburant në bidonë në vend të makinave, për të shmangur grumbullimin e rezervave në kohën kur mungesat përhapen në të gjithë Rusinë si pasojë e shtimit të sulmeve të Ukrainës me dronë dhe raketa ndaj rafinerive dhe objekteve të tjera të naftës.
Por, shoferët shpesh nuk mund të blejnë më shumë se vetëm 20 litra karburant në pikat e karburantit.
“Nuk mund të mbushim benzinë, nuk ka fare në Krasnodar”, thotë një grua në një video tjetër, duke drejtuar kamerën e telefonit të saj drejt tabelës së çmimeve të një pike të Lukoilit, ku çdo kategori është bosh: nuk ka naftë dhe nuk ka benzinë të asnjë oktani.
“Çfarë po ndodh në këtë vend?”, pyet ajo.
Më shumë se 1.000 kilometra në verilindje, në Tatarstan, një tjetër shofere kishte të njëjtën pyetje: “Si gjithmonë, treguesi është te zeroja dhe unë jam në panik”, tha ajo. “Çfarë po ndodh?”
Ajo që po ndodh është se, në vitin e pestë të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, Kievi po kundërpërgjigjet me sulme të shpeshta ndaj rafinerive.
Kjo është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për t’i kufizuar eksportet ruse të naftës, një burim kyç të ardhurash për arkën e luftës së Kremlinit, dhe për t’ua sjellë pasojat e konfliktit, në të cilin Rusia ka vrarë ose plagosur dhjetëra mijëra civilë ukrainas, qytetarëve në mbarë Rusinë.
Sulmet ndaj infrastrukturës së hidrokarbureve kufizuan aftësinë e Moskës për të përfituar nga muajt e çmimeve të larta globale gjatë luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, ku mbyllja e Ngushticës së Hormuzit rriti kërkesën për naftë nga rajone të tjera, përfshirë Rusinë.



