
Metin İzeti
Nuk bën jezitërinë, djallëzinë e ligësinë — se ata që janë vrarë, e ranë dëshmimëtarë, ranë për një të vërtetë, q’ajo na nderon në jetë.
(Naim Frashëri, Qerbelaja)
I. Muharrem — kufiri ku koha pushon së rrahuri
Ka muaj që kalojnë si ujë i qetë — pa ngjyrë, pa zhurmë, pa gjurmë. Dhe ka muaj që mbajnë brenda vetes peshën e tërë historisë së njerëzimit, si një gur i hedhur thellë në fund të detit dhe që shkund ujërat edhe pasi ka rënë. Muharremi është pikërisht ky i dyti: muaji i parë i kalendarit hënor islam, muaji i shenjtë ku Allahu vetë e ka ndaluar derdhjen e gjakut dhe kryerjen e krimeve, ku dimensioni sakral i kohës bëhet i prekshëm nga ana e besimtarit si një perde e hollë mes kësaj bote dhe asaj tjetrës.
Emri “muharrem” vjen nga rrënja arabe h-r-m, e cila ndërton fushën semantike të shenjtërisë, ndalimit dhe paprekshmerisë. Të njëjtën rrënjë e gjen edhe te fjala haram — e ndaluara — dhe te fjala ihram — gjendja e shenjtëruar e haxhiut që ka veshur pelerinën e bardhë dhe ka hyrë në hapësirën ku nuk pritet as bari, as që dëmtohet zogu. Muharremi është gjendje e qenies, një ftesë kalendarike për të hyrë brenda vetes dhe për të larguar dorën nga gjithçka që ndot.
Tradita pejgamberike e ka ngritur vlerën e agjërimit në dhjetë ditët e para të Muharremit si kujtesë e shpëtimit të Musait a.s. dhe të Beni Israilit nga thundra e faraonit. Por muaji nuk mbaron me atë kujtesë. Mbi atë kujtesë të lashtë, historia islame ka hedhur një shtresë të re, me datën 10 Muharrem të vitit 61 pas Hixhretit, kur fusha e Qerbelasë u derdh me gjak dhe qielli mbi Mesopotami — sipas thënies sufike — u errësua nga shiu i dhembjes së gjithësisë.
Koha sufike nuk është lineare. Tesavvufi na mëson se ngjarjet e vërteta nuk ndodhin njëherë e pastaj shuhen në harresën e historisë: ato ndodhin vazhdimisht, përjetësisht, sepse ato janë shprehje të realitetit hyjnor. Ashtu si tesavvufi shqiptar ka thurur vjershat e Muharremit me gjuhën e zemrës e jo vetëm me gjuhën e historisë, ashtu edhe fenomeni i Qerbelasë është tepër i madh për t’u përmbyllur brenda dy orësh dhe dyzet e disa burrave. Ai është kozmik. Dhe mu ky kozmicitet e bën Muharremin të mos jetë vetëm periudhë e kalendarit, por prag i njohjes.
II. Qerbela — tragjeditë si lëkura e dytë e metafizikës
Ekzistojnë ngjarje historike dhe ekzistojnë ngjarje arketipike. Ngjarjet historike ndodhin njëherë, regjistrohen nga shkrimet dhe pas ca kohe bëhen lëndë e punimeve akademike. Ngjarjet arketipike, nga ana tjetër, janë të natyrës vetë-ripërtëritëse: ato jetojnë sepse ato janë shprehja e paprekshme e disa tensioneve themelore të qenies njerëzore — tensionit mes së drejtës dhe pushtetit, mes dinjitetit dhe nënshtrimit, mes vdekjes me kuptim dhe jetës pa të. Qerbela është kjo e dyta, dhe pikërisht kjo shpjegon pse ajo nuk pushon së ndikuari.
Hazreti Huseini, nipi i Pejgamberit a.s., niset nga Meka me pak burra, me familjen e tij, me dijen se po shkon drejt vdekjes. Nuk e shtyn mashtrimi, nuk e shtyn ambicia, nuk e shtyn injoranca. Ai niset me njohuri të plotë. Fjala e tij para shtëpisë së Allahut është manifesto e ndërgjegjëshme e sakrificës: “Nëse nuk nisem sot t’i kundërvihem padrejtësisë, gjeneratat e ardhshme do të kenë si shembull konformizmin tim dhe do ta durojnë zullumin kokëulur.” Kjo nuk është retorikë. Kjo është filozofi e aplikuar e lirisë, e ndërgjegjësimit, e largimit nga ajo çka filozofia ekzistencialiste perëndimore do ta quante “vetëgënjeshtra” apo mauvaise foi.
Tradita sufike e ka kuptuar Qerbelanë si dramë të dashurisë hyjnore në shkallën e saj më ekstreme. Ibn Arabiu do të thotë se shehidi i vërtetë nuk vdes — ai bëhet ndërmjetës, berzah, prag mes dy botëve. Husein bin Ali r.a. është, në optikën e irfanit (gnosticizmit islam), ai që ka kaluar tërësisht nga kjo anë në atën anë dhe duke kaluar ka hapur udhë. Si Simurgh-u i Attarit, ai nuk largohej nga njerëzit — ai bëhej pasqyra ku ata shihnin veten e tyre. Pikëllimi për Qerbelanë, huzni-i i të qajturit, nuk është melankolie boshe: ai është instrument gnostik, mjet i hyrjes brenda vetes dhe i ndërgjegjësimit për raportin mes njeriut dhe Zotit, mes fundit dhe pafundësisë.
Naim Frashëri e kishte kuptuar këtë kur e shkroi “Qerbela”në — poemën me njëzetë e pesë këngë ku lotët e vajtimit islam dhe lotët e vajtimit kombëtar shqiptar bashkohen në të njëjtin burim. Naimi nuk e shfrytëzon Qerbelanë si alibi poetike: ai e sheh si vetë shpirtin e popullit që ka duruar sundim pas sundimi. Huseini i tij është profili metafizik i çdo njeriu që ka thënë jo kur koha e ka kërkuar. Është dëshmori si kategori universale e lirisë, jo si relike fetare e mbyllur brenda xhamisë. Kjo është gjenialiteti i Naimit dhe, njëkohësisht, thellësia e mesazhit të Qerbelasë: ajo nuk i përket vetëm ndjekësve të Pejgamberit a.s. — ajo u përket të gjithë atyre që kanë ndjerë ndonjëherë peshën e padrejtësisë mbi shpatullat e tyre.
III. Huzni dhe irfani — të qajsh si akt i njohjes
Qarja, lutja me zë të mbajtur — në traditën sufike nuk janë shfaqje emocionale të dobësisë. Janë gjendja e ndërgjegjshme e zemrës që njeh gjendjen e saj. Mevlana Xhelaledin Rumiu e ka shprehur këtë me imazhin e nej-it që qan në kumbim sepse është ndarë nga kallamishtja e saj. Nej-i këndon prej huzn-it, prej dhembjes së ndarjes, por ai këndon — dhe kjo këngë është vetë muzika e gjithësisë. Muharrem dhe përkujtimi i Qerbelasë janë, në këtë optikë, koha e vitit kur nej-i i ummetit kthehet te dhembja origjinale e ndarjes nga e Vërteta dhe këndon sërish.
Imam Gazaliu ka shkruar gjerësisht për xherin-in — zemrën e gjallë — si organ i njohjes shpirtërore. Zemra e vdekur nuk qan. Zemra e vdekur nuk i ndjen goditjet e historisë, nuk e di diferencën mes drejtësisë dhe tiranisë, nuk lëviz kur dëgjon emrin Husein. Por zemra e gjallë lëviz — jo prej sentimentalizmit, por prej ndjeshmërisë ontologjike, prej asaj aftësie të thellë për t’u lidhur me realitetin. Dhe kjo lidhje është kusht i njohjes. Aristoteli do të fliste për pathossin si element i katharsis-it në tragjeditë — pastrimin shpirtëror nëpërmjet dhembjes estetike. Tradita sufike shkon edhe më thellë: ajo thotë se cipa e ndiesisë, huznit, çel dyert e njohjes mbi qenien dhe Zotin.
Pikërisht ky aspekt — pikëllimi si njohje — e bën Muharremin diçka me shumë se ritualin fetar kalendarik. Ky muaj na fton të qëndrojmë para vetes sonë dhe të pyesim: çfarë kemi lënë të vdesë brenda nesh? Çfarë Huseinash kemi hedhur poshtë nga frika e Jezidit të brendshëm — pra, nga frika e humbjes së pozitës, komfortit, miratimit shoqëror? Tesavvufi nuk sillet rreth historisë: ai e interiorizon atë, e bën të brendshme. Beteja e Qerbelasë është edhe beteja e brendshme mes nefsit të ulët dhe shpirtit të lirë, mes egos që dëshiron të mbijetojë me çdo çmim dhe shpirtit që zgjedh vdekjen me dinjitet ndaj jetës me turp.
Kjo nuk është alegori e thjeshtë. Ibn Arabiu do ta thoshte me terminologjinë e tij: Husein r.a. ka realizuar makamin — stacionin shpirtëror — të “fenaul-fenaa”, shlyerjes totale të egos para Hyjnores. Dhe pikërisht kjo shlyrje totale e bëri atë të qëndrueshëm ndaj ushtrisë së Jezidit. Ai nuk kishte asgjë për të humbur sepse kishte dhënë gjithçka. Kush ka dhënë gjithçka nuk mund të blihet me asgjë. Kjo liri supreme është vlera frymëzuese e Qerbelasë, dhe kjo liri nuk mund të gjendet veçse nëpërmjet rrugës sufike të mposhtjes së egos.
IV. Drita pas shpatës — trashëgimia e përjetshme
Kur shpata e Shimrit ra mbi qafën e Huseinit r.a. dhe ushtria e Jezidit filloi të krekosej, ata mendonin se kishin fituar. Por historia ka pasur një ironi të madhe, madje të qëllimshme: vrasësi harrohet; dëshimori jeton. Jezidi i ka lënë historisë vetëm emrin e tij si sinonim i tiranisë dhe shthurjes morale. Huseini i ka lënë historisë gjithçka tjetër — mësimet, shembullin, frymëzimin, lirinë.
Edward Granville Browne e ka shkruar se kujtimi i Qerbelasë është mjaft për të ndjell, edhe te shpirtrat më të ftoftë, dhimbjen më të egër dhe ekzaltimin e shpirtit para të cilit frika dhe vdekja tkurren. Kjo vërejtje e studiuesit perëndimor nuk është e rastësishme. Qerbela ka fuqinë ta lëkundë njeriun sepse ajo prek disa nga nevojat themelore të qenies njerëzore: nevojën për kuptim, nevojën për drejtësi, nevojën për të parë se vlerat shpirtërore mund të ngadhnjejnë mbi fuqinë brutale të armëve. Viktor Frankl, nga perspektiva e psikologjisë ekzistenciale, do të thoshte se njeriu mundet t’i mbijetojë çdo rrethane nëse gjen kuptimin. Huseini r.a. e gjeti kuptimin — dhe kjo e bëri dëshmorë, jo viktimë.
Sot, kur ne e shikojmë botën dhe shohim Palestinën në gjak, kur shohim shtypjen e popujve të pafuqishëm nga fuqitë e mëdha, kur shohim herë pas here si individë që guxojnë të flasin të vërtetën blehen, si lodhen ose zhduken — Qerbelaja na flet sërish me zë të lartë. Ajo nuk është ngjarje vetëm e shekullit të parë islam. Ajo është ngjarje e çdo shekulli ku pushteti ka tentuar të shkel mbi ndërgjegjën njerëzore dhe mbi të drejtën hyjnore. Dhe ftesa e saj mbetet po ajo: zgjidh. Zgjidh mes jetës me turp dhe vdekjes me dinjitet. Zgjidh mes heshtjes dhe fjalës. Zgjidh mes konformizmit dhe lirisë.
Muharremi kthehet çdo vit, si kujtuesi i besnikërisë sonë. Pikëllimi me të cilin e marrim — huzni-i i vajtimit për Husein r.a. — nuk është dëshpërim. Është premtim. Premtim se edhe ne, brenda rrethanave tona, nuk do ta tradhtojmë të vërtetën. Premtim se egoja jonë e ulët nuk do ta shuajë zjarrin e shpirtit. Premtim se Qerbela s’ka mbaruar — sepse ajo që Qerbela ka mbjellë në botë është shembulli i njeriut të plotë, njeriut të lirë.
Ra Drita e Botës, në pluhur të kuq —
gjaku i Tij i shenjtë tokën e përlëvdoi me një frymë të bukur.
Por Qerbelaja, O Zot, s’ishte fund, as humbje —
ishte lindje e përjetshme, në zemrat që digjen.
Tetovë, Muharrem 1448 H.



