
Ministria e Jashtme e Izraelit njofton se janë liruar 171 pjesëmarrës të flotës Sumud. Nga MPJ-ja izraelite thonë se janë respektuar të drejtat e të gjithë pjesëmarrësve.
“171 provokatorë shtesë nga flotilja Hamas–Sumud, përfshirë Greta Thunberg, u deportuan sot nga Izraeli drejt Greqisë dhe Sllovakisë. Të deportuarit janë shtetas të Greqisë, Italisë, Francës, Irlandës, Suedisë, Polonisë, Gjermanisë, Bullgarisë, Lituanisë, Austrisë, Luksemburgut, Finlandës, Danimarkës, Sllovakisë, Zvicrës, Norvegjisë, Mbretërisë së Bashkuar, Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara. Të gjitha të drejtat ligjore të pjesëmarrësve në këtë “shfaqje PR-i” janë respektuar plotësisht dhe do të vazhdojnë të respektohen.
Gënjeshtrat që ata po përhapin janë pjesë e një fushate të planifikuar paraprakisht të lajmeve të rreme. I vetmi incident i dhunshëm ndodhi kur një nga provokatorët e flotiljes Hamas–Sumud kafshoi një punonjëse mjekësore në burgun Ketsiyot. Mos i besoni lajmeve të rreme që po përhapin.
Në fotot e bashkëngjitura shihen Greta dhe pjesëmarrës të tjerë të kësaj “shfaqjeje PR-i” në aeroport, para deportimit”, thonë nga Ministria e Jashtme e Izraelit.



