
Deklarimet e funksionarëve shtetërore se pas rastit me tragjedinë në Koçan duhet të hetohen dhe të zbardhen edhe rastet e tjera me tragjeditë paraprake, nxit kërkesa për hetim dhe drejtësi edhe në raste të tjera gjyqësore. Avokati mbrojtës i rastit Monstra, Naser Raufi, kërkon që pushteti të rishikojë sërisht edhe rastet e montuara politike, ku qytetarë të pafajshëm po vuajnë dënime të përjetshme në burgjet e vendit.
Pasi që kaloi gjykimi dhe rigjykimi për rastin “Monstra” deri në instancën më të lartë gjyqësore në vend, të akuzuarit dhe mbrojtja e tyre drejtësinë po e kërkojnë në Strazbur. Avokatja e rastit “Monstra” në Gjykatën Evropiane për të drejta të njeriut, Natasha Najdenova Leviç, për TVM2 njofton se ka kaluar faza e parë nga aplikimi, pas çka gjykata duhet ta njoftojë qeverinë për aplikimin dhe ankesat që përmban.
“Procedura rrjedhë në atë mënyrë që aplikimi dorëzohet në Qeveri që të përgjigjen për përmbajtjen dhe vërejtjet. Kjo procedurë quhet vëzhgim përmes agjentit të qeverisë. Dorëzohen përmes gjykatës deri tek aplikuesi i cili në afat të caktuar duhet t’i përgjigjet kërkesave të agjentit qeveritarë. Këto qëndrime Gjykata e Strazburgut sërisht ia dërgon agjentit Qeveritarë për t’u njoftuar me ato dhe të përgjigjet. Ky komunikim në të dy drejtimet mund të zgjasë 2-3 herë. Në këtë lloj të lëndëve pritet 2-3 vjet.”, u shpreh aplikantja e rastit “Montsra” në Strazurg pa dashur të shpalosë detaje të tjera.
Ndërkohë, Danica Xhonova, Drejtoreshë në Byronë për përfaqësim të Maqedonisë pranë Gjykatës Evropianë për të drejta të njeriut, njoftoi për TVM2 se në adresë të tyre akoma nuk ka arritur aplikimi. Edhe Xhonova, tha se e kanë të ndaluar që në këtë fazë të procedurës të komentohet për aplikimin, por që këto procedura kanë disa faza për të kaluar.
Për vrasjen e pesfishtë në afërsi të liqenit të Smillkovcës fillimisht u akuzuan 7 qytetarë shqiptarë për veprën penale terorizëm. Në gjykimin e parë i pafajshëm u shpall Rami Sejdi, ndërsa në rigjykim nga akuza u lirua Sami Luta. Aktualiasht 3 të akuzuar, Afrim Ismailoviq, Agim Ismailoviq dhe Alil Demiri janë të dënuar me burg të përjetshëm. Fejzi Aziri u dënuan me 15 vite burg ndërsa, Haki Aziri, me 9 vite burg.
Për këtë rast Kryetari i atëhershëm i LSDM-së Zoran Zaev kishte premtuar biseda të përgjuara që sipas tij do të zbardhnin aktorët e vërtet të vrasjes së pesfishtë. Por, edhe pas këtyre premtimeve dhe rigjykimit për rastin që kishte për qëllim shpalosjen e këtyre bisedave, e vërteta që prisinin familjarët, nuk u zbulua. Për këtë rast disa herë u organizuan protesta që kishin për qëllim lirimin e të akuzuarve dhe gjetjen e fajtorëve të vërtet të vrasjes së pesëfishtë.



