
Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, ka inspektuar sonte në orët e mbrëmjes nga afër punimet që po zhvillohen në Kampusin e Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, duke parë progresin e realizimit të këtij projekti të rëndësishëm për arsimin e lartë në gjuhën shqipe.
Gjatë vizitës, ministri Hoxha u njoh me dinamikën e punimeve dhe fazat aktuale të ndërtimit, të cilat po zhvillohen sipas planit të paraparë. Ai theksoi rëndësinë e këtij investimi, i cili synon krijimin e kushteve moderne për studentët, stafin akademik, kërkimin shkencor dhe zhvillimin e mëtejshëm të Universitetit “Nënë Tereza”.
Ndërtimi i kampusit universitar për vite me radhë ka qenë një kërkesë dhe një ëndërr e komunitetit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, ndërsa sot po shndërrohet në një realitet konkret.
Projekti përfaqëson një hap të rëndësishëm në fuqizimin e arsimit në gjuhën shqipe dhe në krijimin e mundësive më të mira për gjeneratat e reja.
Punimet në kampus po vazhdojnë me intensitet, duke kaluar nëpër etapa të ndryshme të realizimit dhe duke shënuar hapa të rëndësishëm drejt përfundimit të një infrastrukture moderne universitare.
Kampusi i Universitetit “Nënë Tereza” pritet të jetë një hapësirë bashkëkohore për mësim, inovacion dhe zhvillim akademik, duke dëshmuar se investimi në arsim është investim i drejtpërdrejtë në të ardhmen.
https://www.facebook.com/share/r/1cFJY8GeSC/



