
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka zgjedhur të mos japë asnjë koment konkret lidhur me deklaratën e fortë të liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, i cili një natë më parë nga Tetova paralajmëroi se nëse vendi nuk e vazhdon rrugën drejt integrimit evropian, atëherë do të rrezikohej ndarja – një pjesë drejt Shqipërisë dhe një pjesë drejt Bullgarisë, transmeton Top24
I pyetur nga gazetarët në Strumicë, Mickoski tha shkurt se deklaratat e tilla “nuk meritojnë koment dhe nuk duhet t’u kushtohet rëndësi”. Sipas tij, Ahmeti dhe bashkëpunëtorët e tij po përpiqen të tërheqin vëmendje gjatë fushatës, por ai si kryeministër dhe VMRO-DPMNE si parti do t’i injorojnë totalisht.
“Nuk duhet të lejojmë që politikanë që i përkasin shekullit të kaluar të tërheqin vëmendje. Ne nuk do t’i komentojmë dhe nuk do t’u japim rëndësi,” deklaroi Mickoski, duke shmangur çdo përballje të drejtpërdrejtë me përmbajtjen e deklaratës së Ahmetit.



