
Sot, nga këtu – nga zemra e Pollogut – po e dërgojmë përgjigjen më të fuqishme për të gjithë skeptikët dhe për të gjithë ata që për vite me radhë flisnin, por nuk bënë asgjë: ne nuk japim premtime boshe, ne ndërtojmë! E fillojmë një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore – ndërtimin e autostradës së re Tetovë-Gostivar, me gjatësi prej 18 kilometrash. Për të gjitha detajet teknike dhe financiare nuk do të flas sot, sepse gjithçka u tha nga folësit paraprak. Unë dua vetëm të përmend tre gjëra që mendoj se janë të rëndësishme për t’u theksuar.
Të dashur miq, kjo Qeveri nuk ndërton vetëm autostrada, kjo Qeveri ndërton edhe shumë rrugë lokale, shumë rrugë rajonale, magjistrale, eksprese, shkolla dhe çerdhe. Dhe më lejoni sot, në mesazhin tim të dytë të falënderoj të gjitha komunat, pa marrë parasysh nëse kryetari i tyre vjen nga radhët e partive në pushtet, opozitës apo janë kandidatë të pavarur që janë kryetarë komunash, t’i falënderoj për përkushtimin e tyre dhe për faktin që të gjitha komunat – po e përsëris – u përgjigjën thirrjes së dytë të Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale dhe dorrëzuan projekte me një vlerë të përgjithshme prej pothuajse 16 miliardë denarësh, me më shumë se 900 projekte gjithsej.
Kjo është një punë shumë e madhe e administratës, kjo është një përkushtim i madh nga ana e kryetarëve të komunave dhe unë i përgëzoj. Edhe ne si Qeveri do të vazhdojmë t’i financojmë këto projekte, sepse sot, si asnjëherë më parë, shteti është një kantier i madh ndërtimi. Imagjinoni, në një moment do të ndërtohet në më shumë se 1.200 lokacione. Më thoni kur në histori ka ndodhur një gjë e tillë në këtë atdheun tonë të përbashkët? Në më shumë se 1.200 lokacione do të ndërtohet. Do t’ju kujtoj se këtë dimër, si asnjë vend tjetër në rajon, u nisën tre projekte të mëdha ndërtimi. Njëri që lidh qendrën me lindjen e vendit dhe është pjesë e Korridorit 8 që përfundon në Kriva Pallankë, i dyti është ai që lidh qendrën e shtetit, rruga eksprese që lidh Gradskon me Prilepin dhe do t’ju kujtoj edhe seksionin e parë të hekurudhës që duhet ta lidhë Maqedoninë me fqinjët tanë lindorë dhe që përfaqëson një projekt historik dhe strategjik, pjesë e Korridorit 8, që është një nga dy korridoret më të rëndësishme që kanë përparësi për Aleancën e NATO-s dhe për të cilin, gjatë Samitit të NATO-s në korrik të vitit të kaluar në Uashington, ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të rajonit nënshkruan marrëveshje që do të jetë prioritet i tyre.
Dhe mesazhi im i fundit sot, para se të përfundoj, është se si Qeveri do të vazhdojmë të fokusohemi në vlerën e shtuar në cilësinë e jetës së bashkëqytetarëve tanë.
Nuk ka dëshmi më të mirë për këtë sesa ajo që të gjithë ne po e shohim sot dhe ajo që të gjithë ne po e ndërtojmë. Falënderim për të gjithë kolegët në Qeveri, falënderim për kryetarët e komunave, falënderim për deputetët në parlamentin e Maqedonisë, falënderim për ekselencën e saj, ambasadoren e SHBA-së, znj. Angela Aggeler, falënderim për drejtorin e Ndërmarrjes për Rrugë Shtetërore, falënderim për Bechtel dhe Enka, për çdo punëtor që ka lënë një pjesë të energjisë së tij në çdo gur që do të jetë pjesë e këtij seksioni. Ju jeni më të rëndësishmit. Pa ju, asgjë nga kjo nuk do të ndodhte sot, e as do të ndodhte në të ardhmen. Le ta ndërtojmë së bashku të ardhmen përmes projekteve të tilla. Qoftë me fat, dhe me mbarësi të ndërtojmë edhe shumë projekte të tjera për të mirën e qytetarëve tanë dhe të Maqedonisë. Që Maqedonia të jetë sërish krenare dhe të jetë sërish e juaja. Ju faleminderit.”



