
Zëvendës kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, në një intervistë për RTV KLAN ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe shmangies së ndarjeve ideologjike mes shqiptarëve të vendit. Ai u bëri thirrje shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut që të fokusohen në interesat kombëtare dhe të shmangin ndarjet që, sipas tij, nuk janë luksi që ata mund të përballojnë.
“Ne jemi në demokraci dhe kemi dallime, mirëpo ato janë gjatë fushatës. Mendoj se shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duhet të kursehen nga kjo ndarje. Ne nuk e kemi atë komoditet që të bëjmë ndarje ideologjike, e majta apo e djathta. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut kanë nevojë edhe për qeverinë e Kosovës, edhe për qeverinë e Shqipërisë, kanë nevojë për institucionet dhe diplomacinë shqiptare. Këtu duhet të na kursejnë në politikat e ideologjisë. Ne jemi përtej asaj e majta apo e djathta,” deklaroi Mexhiti.
“Ne jemi këtu për të kërkuar bashkëpunim dhe ndihmë nga shteti shqiptar, sepse fundi i fundit edhe kushtetuta e Shqipërisë e obligon qeverinë e Shqipërisë për t’u kujdesur edhe për shqiptarët që janë jashtë vendit.”
Mexhiti shtoi se marrëdhëniet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, janë të konsoliduara dhe theksoi se përfshirja e një realiteti të ri politik në Maqedoninë e Veriut është një shenjë e shëndetshme për demokracinë.



