LajmeMaqedoni

Mexhiti kujton 80 vjetorin e hapjes së shkollës fillore Liria në Shkup

Ka ngjarje që nuk plaken me vitet, vetëm rriten me peshën e kujtesës.
Sot, në 80-vjetorin e hapjes së shkollës “Liria” në Shkup, nderojmë jo vetëm hapjen e një shkolle, por lindjen e një epoke të re për arsimin shqip në Maqedoni.
Ishte viti 1944, kohë e trazuar, tokë e përvëluar, fjalë e ndaluar. E megjithatë, në Çairin e Shkupit, u hap një derë që nuk u mbyll më, dera e dijes në gjuhën amtare. Aty ku gjuha shqipe filloi të mësohej lirshëm, me zë të plotë, pa frikë, pa fshehje.
Shkolla “Liria”, ishte ndërgjegje e zgjuar e një populli që e deshi arsimin, e deshi edukimin. Mësuesit e parë që qëndruan para klasës së parë të ‘Lirisë’, nuk kishin shumë mjete, por kishin një pasuri që nuk blihet: përkushtimin, guximin dhe dashurinë për gjuhën. Ishin misionarë të dijes, që e kthyen klasën në strehë për shpirtin shqiptar. Ata qëndruan, edhe kur ishte vështirë, sepse e dinin që shqipja në shkollë është rrënjë, është frymë, është mbijetesë.
Kjo ditë është kujtesë dhe krenari. Është dritë për rrugën që kemi kaluar dhe fener për rrugët që kemi përpara. Është dëshmi se fjala shqipe nuk u shua, por u shkrua në librat, në fletoret, në mendjet dhe zemrat e brezave.
Prandaj, nuk është rastësi që shkolla u quajt ‘Liria’, sepse në atë kohë, më shumë se gjithçka tjetër, shqiptarëve u mungonte pikërisht ajo: liria për të mësuar në gjuhën e tyre, liria për të qenë vetvetja. Është shkolla “Liria”, sepse nga aty filloi vërtetë liria.
Gëzuar 80-vjetorin, shkollë “Liria”! Ti je një përjetësi që flet shqip.

 

Related Articles

Back to top button
Close
Close