LajmeMaqedoniTopLajm

Mexhiti: Edhe në kufirin në Dibër do të kalohet me sistem “One Stop Shop”

Krerët e koalicionit VLEN, të shoqëruar nga përfaqësues të pushtetit lokal, kanë zhvilluar një vizitë pune në Komunën e Dibrës për të parë nga afër ecurinë e projekteve të rëndësishme kapitale që synojnë modernizimin e infrastrukturës urbane dhe lehtësimin e qarkullimit ndërkufitar.

Gjatë kësaj vizite, bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, së bashku me Bilall Kasamin dhe Mimoza Musën, të pritur nga kryetari i Komunës së Dibrës, Fisnik Mela, inspektuan punimet për ndërtimin e parkingut të ri në qendër të qytetit. Ky projekt, i cili parashihet të ketë një kapacitet prej 250 vendeve të parkimit, kap vlerën e rreth 350 mijë eurove dhe po realizohet tërësisht me mjete vetanake të vetë komunës.

Përfaqësuesit e koalicionit qeverisës dhe kreu i komunës vlerësuan se ky investim do të zgjidhë një nga problemet më të mëdha të ngarkesës në komunikacion në zonën qendrore të Dibrës.

Në prononcimin e tij lidhur me këtë dinamikë të punëve në terren, bashkëkryetari i VLEN-it, Izet Mexhiti, ka vënë theksin te ndikimi i drejtpërdrejtë që këto ndërhyrje kanë në përmirësimin e jetës së banorëve vendas.

“Ky është vetëm një nga projektet që po realizohen aktualisht në Dibër. Krahas tij, në qytet po zhvillohen edhe investime të tjera të rëndësishme që po ndryshojnë infrastrukturën dhe po krijojnë kushte më të mira për qytetarët.

Gjatë vizitës riafirmuam edhe projektin “One Stop Shop” në Bllatë dhe Qafë Thanë, një hap i rëndësishëm drejt lehtësimit të qarkullimit të njerëzve dhe mallrave, si dhe forcimit të lidhjeve mes qyteteve dhe rajoneve tona.

Kur investimet shihen në terren dhe projektet ecin sipas planit, zhvillimi nuk mbetet vetëm temë diskutimi, por bëhet pjesë e jetës së përditshme të qytetarëve”, tha Mexhiti.

Related Articles

Back to top button
Close
Close