
Katër deputetë nga Fronti Evropian do t’i bashkohen shumicës parlamentare, njoftoi zëvendëskryeministri i parë dhe njëri nga liderët e VLEN-it, Izet Mexhiti në një intervistë për Alsat.
“VLEN nuk do të mbetet me nëntë deputetë, as Fronti Europian me ata që i ka. Lëvizjet kanë filluar dhe mendoj se në ditët në vijim, veçanërisht javën tjetër, do të shihet se situata nuk është e tillë. Bisedimet nuk kanë mbaruar, ato janë në fazën përfundimtare, por unë konfirmoj se ka një numër që tashmë e kanë lënë Frontin dhe mbështesin shumicën”, tha Mexhiti, duke theksuar se bëhet fjalë për katër deputetë të Frontit Evropian i udhëhequr nga BDI-ja.
“Ajo që është pushtet dhe që i përket VLEN-it, mbetet në VLEN. Tani, kush do të jetë pjesë e VLEN-it në të ardhmen – individë, subjekte të tjera – kjo është një çështje që po e diskutojmë dhe debatojmë, por këtë pushtet e drejton VLEN. Derisa të vendosim për rrethana të tjera për shkëmbimin e dikastereve, por tani për tani kjo temë është e mbyllur”, shtoi Mexhiti.



