KulturëLajme

“Më vrisni mua”, si sakrifikoi jetën Preng Bib Pasha për diplomatin britanik

Nga Hasan Bello

Preng Bib Doda (1860-22 mars 1919) lindi në Orosh të Mirditës. Ai ishte pinjoll i familjes së njohur të Gjonmarkajve. Pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ai u internua në Kastamonu, qytet në Azinë e Vogël. Me ndihmën e Syrja bej Vlorës, ai u lirua dhe u vendos në Liban si nënpunës i administratës osmane, për të vijuar në Stamboll në pallatin perandorak, ku mori edhe gradën e gjeneralit të brigadës.

Pas Revolucionit xhonturk të vitit 1908 Preng Pasha u kthye në atdhe. Duke nisur nga kjo periudhë deri sa e nxorrën nga skena politike shqiptare, ai do të jetë protagonist i shumë zhvillimeve. Edhe paas Shpalljes së Pavarësisë, Preng Pasha nuk do ta hiqte uniformën e gjeneralit osman.

Madje, ai do ta mbajë atë deri sa vdiq. Kur e pyeti Mehdi Frashëri se përse e mbante ende këtë uniformë, ai do t`i përgjigjet se, pa këtë mua nuk më njeh asnjë njeri. Prenga shquhej për bisedat me humor dhe mendjehollësi.

Eqrem bej Vlora shkruan se në një darkë të shtruar nga Princ Widi, në qeverinë e të cilit, ai mbante postin e ministrit të Punëve Botore, Prenka plot sarkazë i drejtohet princit me fjalët: “Kështu pra, Lartësi! Nëse doni vërtet të qeverisni në Shqipëri, masa e parë që duhet të merrni është të mënjanoni Ismail Beun dhe Esat Pashën.

Me këtë rast, ju lutem mos harroni edhe personin tim të parëndësishëm dhe mjaft gjela të tjerë grindavecë më të vegjël. Ndryshe as mos tju shkojë ndërmend se mund të bashkoni Shqipërinë dhe të qeverisni këtu me të vërtetë”.

Pasha nuk shkonte mirë me italianët, të cilët për interesat e tyre kishin vendosur të eliminonin lidershipin politik shqiptar (Prengën, Ismailin dhe Esat Pashën). Ai e dinte këtë dhe ruhej.

Por gjatë një udhëtimi drejt Shkodrës më 22 mars 1919, i shoqëruar nga diplomati anglez Eden, atij i bëhet atentat sapo kalon lumin Mat.

Pasha ngrihet në këmbë nga vetura dhe në përputhje me zakonet shqiptare bërtet: “Më vritni mue e mos qitni mbi të huejt, se asht kundra zakonit tonë”. Pasha dhe disa nga njerëzit e tij vriten, ndërsa konsulli Eden plagoset në krahë. Kështu, Preng Pasha u vra nga italianët, por me duart e shqiptarëve.

Related Articles

Back to top button
Close
Close