LajmeMaqedoniTopLajm

“Me studentët!”, Arta Toçi kërkon mobilizim për protestën e 18 majit

Profesoresha universitare, Arta Toçi, ka dalë në mbështetje të protestës së studentëve shqiptarë për të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet e Jurisprudencës në Maqedoninë e Veriut. Përmes një reagimi publik, ajo ka theksuar se protesta e paralajmëruar për 18 maj nuk duhet të mbetet vetëm zëri i disa të rinjve, por të shndërrohet në një kauzë të përbashkët shoqërore dhe kombëtare.

Toçi vlerëson se studentët nuk po kërkojnë privilegje, por respektimin e një të drejte themelore që lidhet drejtpërdrejt me dinjitetin e gjuhës shqipe dhe identitetin kombëtar. Sipas saj, kërkesat e studentëve meritojnë mbështetjen e plotë të profesorëve, akademikëve, intelektualëve dhe të gjithë atyre që besojnë në barazi dhe drejtësi.

Statusi i plotë i profesoreshës Arta Toçi:

Protesta e studentëve shqiptarë për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk duhet të mbetet vetëm zëri i një grupi të rinjsh që kërkojnë të drejtat e tyre. Ata meritojnë dhe duhet të kenë përkrahjen e plotë të intelektualëve, profesorëve, akademikëve dhe çdo individi që beson në dinjitetin e gjuhës dhe identitetit kombëtar.

Kur studentët ngrihen për të mbrojtur gjuhën shqipe, ata nuk po kërkojnë privilegje, por respektim të një të drejte themelore. Heshtja përballë kërkesave të tyre do të ishte heshtje përballë degradimit të vetë identitetit tonë kulturor dhe kombëtar. Pikërisht intelektualët kanë përgjegjësinë morale dhe shoqërore të jenë në anën e tyre, sepse historia ka treguar se çështjet kombëtare dhe kulturore janë mbrojtur gjithmonë nga zëri i dijes dhe ndërgjegjes akademike.

Është koha që profesorët dhe elita intelektuale të mos qëndrojnë neutrale. Mbështetja për studentët është mbështetje për gjuhën shqipe, për barazinë dhe egzitencën e tyre.

Një popull që hesht, i lë brezave të ardhshëm barrën e asaj që duhet mbrojtur sot!

Me studentët!
Protesta 18 Maj 2026

Related Articles

Back to top button
Close
Close