Lajme

Më shumë se 10.000 viktima gjatë qershorit, numër rekord vdekjesh nga i nxehti në Europë

Shkencëtarët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike po i bëjnë episodet e temperaturave ekstreme gjithnjë e më vdekjeprurëse, ndërsa mbi 10 mijë persona humbën jetën gjatë valës rekord të të nxehtit që goditi Evropën në fund të qershorit. Vendet evropiane raportuan mbi 10.000 vdekje më shumë gjatë valës rekord të të nxehtit që përfshiu pjesën perëndimore të kontinentit në fund të qershorit, sipas të dhënave zyrtare. Shumica e viktimave, më shumë se 9.000 persona, ishin të moshës 65 vjeç e lart.

Temperaturat ekstreme mund të shkaktojnë vdekje përmes goditjes nga nxehtësia ose duke përkeqësuar sëmundjet kardiovaskulare dhe ato të frymëmarrjes. Personat e moshuar janë ndër grupet më të rrezikuara.

Sipas shkencëtarëve, vala e të nxehtit në fund të qershorit do të kishte qenë praktikisht e pamundur pa ndikimin e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, të cilat po i bëjnë valët e të nxehtit gjithnjë e më të shpeshta dhe më intensive.

Të dhënat, të mbledhura nga statistikat kombëtare të vdekshmërisë në 27 vende evropiane, përfshijnë vdekjet shtesë nga të gjitha shkaqet, jo vetëm ato të lidhura me temperaturat e larta, për javën nga 22 deri më 28 qershor, periudhë kur vala e të nxehtit arriti kulmin në Francë, Spanjë, Britani dhe vende të tjera.

Megjithatë, studiuesit theksojnë se nuk kishte faktorë të tjerë madhorë, si shpërthime të COVID-19, që mund të shpjegonin rritjen në 10.650 vdekje shtesë gjatë asaj jave. Në tetë javët paraardhëse, vdekshmëria e kombinuar në të njëjtat vende evropiane kishte qenë mesatarisht rreth 500 vdekje në javë më e ulët se niveli i zakonshëm. Të dhënat mund të rishikohen në javët në vijim, pasi të mblidhen informacione shtesë.

Vala ekstreme e të nxehtit në fund të qershorit shkaktoi ndërprerje të furnizimit me energji elektrike, mbyllje të shkollave dhe thyerje rekordesh temperaturash në Francë, Spanjë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Rrjeti i monitorimit nuk publikon statistika të ndara sipas shteteve, por thekson se Franca dhe Belgjika ishin dy vendet e vetme në Evropë që regjistruan një nivel “shumë të lartë” të vdekshmërisë së tepërt në javën e fundit të qershorit.

Sipas institutit belg të shëndetit publik Sciensano, Belgjika shënoi nivelin më të lartë të vdekshmërisë së tepërt gjatë një vale të të nxehtit që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 2000.

Një studim tjetër shkencor, i publikuar më 13 korrik, vlerëson se vetëm në Angli dhe Uells, rreth 2.700 persona humbën jetën për shkaqe të lidhura me temperaturat e larta gjatë valëve të të nxehtit në muajt maj dhe qershor. Nga këto vdekje, 42% i atribuohen nxehtësisë shtesë të shkaktuar nga ngrohja globale, sipas studimit të realizuar nga Imperial College London, Shërbimi Meteorologjik i Mbretërisë së Bashkuar dhe London School of Hygiene & Tropical Medicine.

Related Articles

Back to top button
Close
Close